Ish-deputeti dhe gazetari, Milaim Zeka, sot është paraqitur në gjykatë si i dyshuar për kanosje ndaj prokurorit Afrim Shefkiu. Për seancën gjyqsore dhe për rastin, Zeka ka folur në FRONTAL të T7.
Ai ka thënë se gjatë intervistës së dhënë në vitin 2018 në emisionin “DPT te Fidani” që transmetohej në T7, e ka përmendur Aleksander Lumezin dhe shton se kur ka thënë “prokurorin të qashtjes time”, nuk e ka pasur fjalën për prokurorin Afrim Shefkiu.
“Vetëm pse kam thënë se me Aleksander Lumezin dhe Hashim Thaçin do të merrem me ligj, me kanun. Unë i kam 10 landë, fare s’ka qenë aludimi për Afrim Shefkiun”, ka deklaruar Zeka.
Zeka në FRONTAL ka deklaruar se arrestimi i tij pas kësaj deklarate “është bërë me urdhër të Abelard Tahirit”.
Zeka në këtë intervistë ka folur edhe për prishjen e raporteve të tij me ish-krerët e UÇK-së, konkretisht Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Siç pretendon Zeka, “lufta” ndaj tij kishte filluar në vitin 2016 pasi e kishte publikuar një listë me 21 emra të mundshëm për të qenë subjekt i Gjykatës Speciale.
“Lufta ka fillu atë ditë kur e kam publiku listën se cilët persona janë të mundshëm për të shkuar në Hagë. 2015 është themelu Gjykata Speciale. Në gusht të 2016 e kam publikuar listën me 21 emra. Në atë listë janë kanë Hashim Thaçi, Jakup Kransiqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e plotë të tjerë”, ka thënë Zeka.