Biznesmeni Zvonko Vesellinoviq ka dhënë një deklaratë në policinë e Beogradit në lidhje me pretendimet se ai dyshohet se ka urdhëruar dhe paguar për organizimin e vrasjes së inspektorëve policorë Sllobodan Millenkoviq dhe Dushan Mitiq, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB) më 4 tetor.
Në vitin 2019, Millenkoviq dhe Mitiq zbuluan një plantacion të marihuanës në pronën bujqësore “Jovanjica” dhe janë dëshmitarë në procesin gjyqësor kundër pronarit të saj, Predrag Koluvije.
Eskalon Gjinovci: Edi Rama i përmbushë të gjitha kriteret me shpallë NON GRATA në Kosovë
Vesellinoviq, një biznesmen serb nga Kosova, konsiderohet si organizator i barrikadave në veri të Kosovës dhe po ashtu si “mbrojtësi” i serbëve.
Siç thuhet në njoftimin e MPB-së, Zvonko Vesellinoviq, i shoqëruar nga avokati, tha deklaratë për pretendimet e Sllobodan Millenkoviqit se ai kishte urdhëruar dhe paguar për organizimin e vrasjes së tij, si dhe ka pranuar që t’i nënshtrohet testit poligrafik.
Ministria e Punëve të Brendshme shton se testi është bërë dhe se Vesellinoviqi ka kaluar atë, duke mohuar pretendimet e Millenkoviqit dhe duke thënë se ai nuk e njeh personin në fjalë.
Gjithashtu, thuhet se raporti për këtë hetim do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.
Firma ligjore Tomanoviq, e cila përfaqëson Sllobodan Millenkoviqin, njoftoi më 2 tetor se kishte marrë informacion se “tashmë janë paguar 500.000 euro për likuidimin e inspektorit Sllobodan Millenkoviq”, duke shtuar se dyshohet se e njëjta shumë është paguar për likuidimin e inspektorit Dushan Mitiq.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi në fillim të shtatorit se inspektorët Millenkoviq dhe Mitiq janë duke u ruajtur nga pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ).
Predrag Koluvija akuzohet si organizator i një grupi kriminal që kultivonte marijuanën për shitje. Sipas aktakuzës, në pronën e tij në nëntor 2019 u gjetën 1.600 kilogramë skunk (një lloj kanabisi).
Më 13 nëntor 2019, inspektorët e policisë Sllobodan Millenkoviq dhe Millan Isakov e ndaluan makinën në të cilën ndodhej Koluvija, i cili u prezantua si koleg dhe ua tregoi atyre një kartë zyrtare të identifikimit, për të cilën ekspertët gjetën se ishte e rrejshme.
Inspektorët e Departamentit për Kontrollin e Narkotikëve, Sllobodan Millenkoviq dhe Dushan Mitiq, janë shkarkuar nga pozitat e tyre në Departamentin për Luftimin e Drogave të Policisë së Beogradit në gusht pa një shpjegim të qartë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Një pjesë e opinionit dhe partive opozitare organizuan protesta në mbështetje të inspektorëve policorë para Gjykatës Speciale, e në disa raste para dhe gjatë seancave ku dëshmuan Sllobodan Millenkoviq, Dushan Mitiq dhe Millan Isakov.
Në fund të vitit 2021, Zvonko Vesellinoviq u fut në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, së bashku me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policëve të Kosovës më 24 shtator, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë ka vërtetuar se tri kompani të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin dhe Millan Radoiçiqin kanë qenë nënkontraktorë në të paktën tri pjesë rrugore në Serbi në dy vitet e fundit.
Kompanitë e tyre ishin nënkontraktore në punimet e kryera nga kompani kineze. /REL