Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti vlerëson se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arrit 651 milionë euro.
Sipas tij shpenzimet e tyre deri në korrik ishin 140 përqind më shumë se vitin paraprak.
“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës, të cilat me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 përqind.
Por, edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje rreth 7 përqind. Remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 përqind”, theksoi ai.
Ardhja e diasporës, sipas Mehmetit, ndikoi edhe në rritjen e importit të mallrave në mbi 40 përqind, teksa shton se është rritur edhe vlera e eksporteve në 476 milionë euro, ose 63 përqind më shumë./Botapress.info/