Rreth 5 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga 9 mijë sa ka aktualisht ky institucion, kanë deponuar padi nëpër gjykata për të kërkuar të drejtat e tyre. Këtë e ka bërë të ditur avokati Kastriot Feka, i cili është angazhuar nga Sindikata e Policisë për këto lëndë.
Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë një mendim juridik pozitiv për shpërblimin e shujtës ditore për Policinë e Kosovës, pagës së 13, shtesat në pagë për kualifikimin shkollor dhe pagën jubilare në Policin e Kosovës.
Avokati Feka në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se për shkak që tashmë dihet epilogu i padive, e që këto lëndë janë nga marrëdhënia e punës, ligji ju jep prioritet.
“Janë rreth 1 mijë padi me nga 5 zyrtarë policor, i kemi bërë kështu për të mos e dëmtuar buxhetin por edhe për mos me shtu numrin e madh të lëndëve në gjykata duke pas parasysh se edhe ashtu ka një numër të madh të lëndëve pa zgjidh. Këto padi i kemi dorëzuar para dy viteve”, ka thënë Feka.
Sipas tij, këto lëndë me një praktikë që është duke u zhvilluar në Gjykatat Themelore janë duke u kryer pa shqyrtim kryesor që nënkupton pa seanca dhe vetëm jemi duke pritur aktgjykime me rend, shtoja këtu që për rreth 1600 zyrtarë policor i kemi aktgjykimet në Gjykatën Themelore dhe jemi duke pritur të vërtetohen si të bazuara nga Gjykata e Apelit”, ka thënë ai.
Policët presin të marrin rreth 3 mijë euro duke llogaritur pagat e 13-ta për pesë vitet e fundit dhe shtesat tjera.
“Policët presin të marrin pesë paga të 13-ta, tash varet prej nivelit që polici e ka, gradës, kualifikimit që e përcaktojnë shumën e këtyre pagave, po saktësisht për 5 vitet e fundit aq sa e ka pas pagën në muajin dhjetor, e ata që këto vite kanë mbushur vitin jubilar ju takon edhe ajo, poashtu ata zyrtarë policor që kanë shkollim ju takon shtesa në pagë”, ka thënë avokati i policisë.
Policët në të njëjtën kohë po kërkojnë edhe pagesën e rrezikshmërisë e cila u është ndalë që me futjen në fuqi të ligjit të pagave.
Madje Sindikata e Policisë ka kërcënuar që nëse këto shtesa nuk paguhen ata do të mendojnë edhe për veprime tjera që nuk do të jenë të hijshme.
E për kërkesat e Policisë ka folur javën e kaluar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai tha se kërkesat janë prioritet i qeverisjes së tij. Por për realizimin e tyre kërkoi kohë.
“Personalisht, jam duke u marrë me këtë temë. Veç se na duhet edhe ca kohë që mos të bëjmë gabime që do të shkaktojnë zhgënjime e pendesa. Edhe kur e kemi bërë ligjin për paga, na pat marrë ca më shumë kohë sesa që patëm menduar fillimisht. Mirëpo, koha shtesë që e morëm ja ka vlejtur për shkak se i kemi minimizuar maksimalisht defektet në vijim. Andaj, unë këtë e kam prioritet të lartë dhe ju siguroj që po bëjë krejt çfarë mundem e di. Policia e Republikës së Kosovës, organet tona në përgjithësi të sigurisë, janë në nivel të detyrës, dhe padyshim që e kanë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Nevojat, meritat janë më të thjeshta, zgjidhja është më komplekse dhe na jepni ca më shumë kohë që mos të e bëjmë asnjë gabim apo defekt” , theksoi Kurti.