Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka folur rreth largimit të Komandantit të FSK’së Rrahman Rama nga kjo pozitë, gjithashtu ka akuzuar ministrin Mehaj se ka bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe marrëveshjes me ShBA’në dhe se reagimi i tyre ka qenë i ashpër, shkruan Gazeta Botapress.
Çitakut ka akuzuar Mehajn se ka bërë shkelje të rëndë ligjore dhe të marrëveshjes me ShBA’në dhe se këta të fundit kanë reaguar ashpër.
“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm”, ka shkruar Çitakut.
Ky reagim i Çitakut vjen pas dorëheqjes së Komandantit të FSK’së, Rrahman Rama, i cili vendim vjen pas refuzimit që ky i fundit i ka bërë ministrit Mehaj për t’i ngjyrosur automjetet e FSK’së.
Duhet theksuar se është raportuar ditë më parë se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte tentuar që t’i përdorë asetet e FSK’së për qëllime elektorale. Tuje thuhej se ishte kërkuar përdorimin e disa autoblindave ushtarake për situatën në Veri të Kosovë, duke kërkuar fillimisht që ato të lyheshin me ngjyrën e kaltër të policisë.
‘Albanian Post‘ ka publikuar edhe notën diplomatike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës amerikane në Kosovë, i kanë dërguar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që Qeveria e Kosovës të zotohet, përmes marrëveshjes, se pajisjet që i janë dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që në kontratë e kanë të përcaktuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si përdorues të fundit, nuk do t’i jepen asnjë organizate tjetër të sigurisë.
Postimi i plotë:
Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.
Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.
Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan.
Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.
Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë.
Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.
Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm.
Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin.
Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë.
Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë./Botapress.info/