Biznesmeni amerikan, Glen de Vries, muajin e kaluar udhëtoi me sukses në hapësirë përmes anijes kozmike të kompanisë “Blue Origin”.
Më pak se një muaj më vonë, ai vdiq në një aksident me një aeroplan të vogël të enjten në New Jersey.
Policia shtetërore në New Jersey tha se aeroplani u rrëzua në një pyll të enjten pasdite, rreth 64 kilometra në veriperëndim të Nju Jorkut. Në aksident u përfshi aeroplani i tipit “Cessna 172” me katër ulëse, që përdorej për fluturime trajnuese dhe rekreative.
Raportohet se aeroplani u rrëzua në një vend me pyje të dendura në rrethana të panjohura. Bordi Kombëtar për Siguri në Transport tha se është duke e hetuar aksidentin, shkruan CNN.
Sipas të dhënave të autoriteteve amerikane, biznesmeni ishte i certifikuar si pilot privat me shkallë instrumentesh, duke pasur të drejtë që të drejtonte aeroplan vetëm duke iu referuar instrumenteve të aeroplanit.
De Vries kurrë nuk kishte treguar se sa ka paguar për një vend në anijen kozmike “New Shepherd”, por pas kthimit në Tokë, ai i kishte thënë televizionit CNN se udhëtimi ia ka vlejtur.
“Jemi shumë të dëshpëruar për vdekjen e papritur të Glen de Vries. Ai solli aq shumë jetë dhe energji tek i tërë ekipi i Blue Origin dhe te bashkudhëtarët e tij”, tha një zëdhënës i kompanisë së miliarderit amerikan, Jeff Bezos.