Mbi 840 milionë euro të hyrat e qeverisë për tre muaj

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të hyrat e qeverisë së përgjithshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 kanë arritur në 841.8 milionë euro.

Burimi kryesor i të hyrave vazhdojnë të mbeten tatimet në produkte, të cilat përbëjnë 68% të totalit, ndërsa tatimet rrjedhëse në të ardhura përfaqësojnë 17%. Të ardhurat nga aktivet dhe detyrimet financiare kontribuojnë me 7%, ndërsa pjesa tjetër vjen nga kategori të ndryshme.

Në të njëjtën periudhë, shpenzimet e qeverisë kanë arritur në 792 milionë euro. Pjesa më e madhe e tyre është orientuar në kompensimin e punëtorëve me 38%, pasuar nga kontributet sociale dhe përfitimet me 31%, si dhe konsumi i ndërmjetëm me 12%.

Sipas klasifikimit funksional të shpenzimeve, mbrojtja sociale ka zënë pjesën më të madhe të buxhetit me 32%, e ndjekur nga arsimi me 15%, çështjet ekonomike me 13% dhe shërbimet e përgjithshme me 11%.

Pjesa tjetër e mjeteve është shpërndarë në sektorë të ndryshëm të administratës publike.

Të tjera