Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas anulimit të takimit të përbashkët në mes dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku këtë e ka quajtur lajm të keq për të gjithë shqiptarët.
“Lajmi për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive është lajm i keq për shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, në Luginë, Maqedoni e Mal të Zi” ka shkruar fillimisht Abdixhiku.
Dhunohet seksualisht një vajzë e mitur në Rahovec, arrestohet i dyshuari
Ai po ashtu ka thënë se Kosova po e vazhdon rrugën e izolimit dhe të vetmisë.
“Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtoj drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, ka vazhduar Abdixhiku.
“Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës. Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku ka deklaruar se ”Kosovës i duhen miqtë dhe partnerët strategjikë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, ka njoftuar se ka anuluar takimin me qeverinë e Kosovës, që parashihej të mbahej nesër në komunën e Gjakovës.
Ai ka thënë se për këtë gjë e ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se arsyet lidhen me përplasjen e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, ka thënë Edi Rama.
Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë. /Botapress.info/