Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se bazë të informatave të pranuara nga komunat, gjatë ditës së sotme, procesi edukativo-arsimor ka filluar në 658 institucione, ashtu siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit Shkollor 2023-2024.
Mirëpo në disa shkolla për arsye objektive MASHTI thotë se nuk ka mundur të fillojë viti i ri shkollor.
“Sipas raportimeve të komunave, procesi mësimor nuk ka filluar në tetëmbëdhjetë (18) institucione arsimore të cilat kanë qenë në proces të renovimit”.
Aksident në Gjakovë: Shoferi humb kontrollin mbi veturën, vdes 54-vjeçari
MASHTI shton tutje se në shumicën prej këtyre institucioneve punimet do të përfundojnë deri më 4 shtator dhe do të nis procesi i rregullt mësimor.
MASHTI ka dhënë detaje edhe për procesin e subvencionimit të prindërve të nxënësve për tekste e materiale tjera shkollore.
“Sa i përket pagesës për furnizim me tekste shkollore, për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00, ekzekutimi i mjeteve nga ana e MAShTI-t (respektivisht nga Thesari) ka përfunduar të enjten. Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore”.
“Nga sot ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht. Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është 133.500”, shton MASHTI.
Ministria e Arsimit thotë se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.
“Çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, thuhet tutje në njoftimin e MASHTI-t./