Analisti politik Agon Maliqi, ka reaguar pas takimit të sotëm mes Kurtit dhe Vucic, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Në një postim në Facebook, Maliqi tha se Kosova në Bashkim Evropian ka hasur gjithmonë në raport asimetrik për shkak të vendeve mosnjohëse, asimetri e cila është thelluar edhe më shumë me largimin e Britanisë.
Mirëpo, sipas Maliqit, kjo asimetri është thyer përmes koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se ky parim u thye sot pasi Qeveria vendosi të konfrontohet dhe t’i mbajë ligjerata SHBA’së.
“Për të fituar pikë me metoda populliste dhe për ta ushqyer dalldinë nacionaliste, me aventurat e njëpasnjëshme në veri, hap pas hapi e gërryu dhe e shkatërroi besimin dhe kredibilitetin te të gjithë aleatët e tjerë, përfshi edhe Gjermaninë. E mbetur e vetmuar dhe pa mbështetje, tash po ankohet me rezultatin: mirëkuptimin perëndimor për Vuçiqin; izolimin ndërkombëtar dhe; sovranitetin prej letre në veri që po shkon drejt protektoratit ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Maliqi tha se Kurti ka mbetur në një rrugë qorre e cila është përfundimi logjik i popullizmit qorr.
“Një rrugë qorre e cila është përfundimi logjik i popullizmit qorr”, ka shkruar Maliqi. /Botapress.info/