Militantë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje tri vite më parë publikonin numrat e telefonit të deputetëve opozitarë, duke i kërcënuar që mos ta rrëzojnë kryeministrin Kurti nga pushteti, e tash ministri i Financave, Hekuran Murati, është ankuar për shkelje të privatësisë, pasi i është publikuar pikërisht numri i telefonit në Facebook nga kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Deputetët e tashëm opozitarë ishin përballur me kërcënime e linçime pasi pranonin thirrje telefonike dhe mesazhe nga aktivistë të LVV-së, të cilët nuk donin që Kurti të bie nga pushteti, pak para mocionit të mosbesimit më 26 mars, 2020.
Ndonëse LVV-ja kishte publikuar numrat e telefonit të ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, nga ana tjetër, ministri Murati tash është ankuar për shkelje të privatësisë. Kjo pasi, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një postim në qershor të 2022-s në Facebook, duke publikuar numrin e tij të telefonit, kishte kërkuar dorëheqjen e Muratit.
E, shefi i kuletës kosovare është ankuar, duke u shprehur i shqetësuar, në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për shkelje të privatësisë.
Në një vendim të marrë nga AIP më 26 korrik, 2023, thuhet se pjesa ku është publikuar numri i telefonit të Muratit, duhet të largohet nga artikulli, për çka Paparaci kishte raportuar, që të hiqet nën arsyetimin se “të drejtat dhe liritë themelore të subjektit të të dhënave mbizotërojnë ndaj të drejtave të tjera”.
Për dallim nga Murati, deputetët opozitarë ishin përballur me kërcënime dhe linçime të shumta para tre viteve.
Kjo pasi, në grupe dhe faqe të ndryshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin publikuar numrat e telefonit të deputetëve, të cilët do të votonin mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1.
Qëllimi i partisë aktuale në pushtet ishte që qytetarët t’i thërrasin dhe t’u bëjnë presion deputetëve për mos të votuar pro rrëzimit të Kurtit nga pushtetit. Kishin marrë qindra mesazhe e kërcënime.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ishte përballur më së shumti me këto kërcënime, për shkak që ishte edhe shef i Grupit Parlamentar në LDK.
Bile kolegu i tij partiak, Driton Selmanaj, e kishte akuzuar atëkohë LVV-në se militantë të saj po u dërgojnë mesazhe në telefonat e tyre, duke u thënë që të mos e votojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1.
Ai thoshte se deri tani i kanë ardhur 130 ‘sms’ të tillë. Madje, ai pati kërkuar nga LVV-ja që të ndalet kjo praktikë. Sipas tij, kjo nuk është demokratike, por presion dhe shantazh.
Numrat e telefonit të deputetëve ishin shpërndarë në një grup në Facebook që e mbështet Kurtin të mbetet kryeministër. Megjithatë, një tentativë e tillë kishte dështuar, pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kishin rrëzuar Kurtin nga qeveria.
Kurti atëherë ishte në koalicion me LDK-në dhe po udhëhiqte Kosovën si kryeministër. Pas tij, erdhi deputeti aktual i LDK-së, Avdullah Hoti, për t’u pasuar sërish me Kurtin.
Kryeministri Kurti, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-s, mori 50 për qind të votave, kohëve të fundit është duke u kritikuar me të madhe.
Krejt akuzat ndaj tij po vinë nga opozitarët, sidomos për veprimet e krye-qeveritarit në komunat veriore. Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, vazhdimisht pretendojnë se Kurti është i dëmshëm për vendin, edhe pasi Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Për dallim nga PDK-ja dhe LDK-ja, AAK-ja e Ramush Haradinajt, ka iniciuar një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Ende nuk dihet nëse do të ketë sukses, sikurse nuk dihet se nëse deputetët opozitarë, do të përballen me kërcënime e linçime, prej militantëve të LVV-së, që Kurtin e duan medoemos në pushtet./Botapress.info/