Gjatë ditës së sotme është zhvilluar seanca e radhës në kuadër të gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Pas kësaj seance ka reaguar edhe veprimtari shqiptar në Amerikë, Uk Lushi.
Uk Lushi tha se Prokuroria dhe Gjykata Speciale vazhdojnë të dëmtojnë Kosovë, e kjo për fajin e mosreagimit të Qeverisë, Presidencës dhe të të shoqërisë civile.
Sipas tij, Qeveria , Presidenca dhe Shoqëria Civile duhet të ngriten në mbrojtje të Policisë së Kosovës sepse ajo ka kapacitete dhe profesionalizëm, transmeton lajmi.net.
Lushi tha se heshtja po i jep municion Serbisë, kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës të pretendojnë se nuk jemi gati për Interpol si çdo shtet tjetër.
Postimi i plotë:
Prokuroria dhe Gjykata Speciale vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën seriozisht. Kjo edhe për fajin e mosreagimit të Qeverisë, Presidencës dhe të të ashtuquajturës shoqëri civile e cila merr miliona euro në emër të Kosovës.
Qeveria, Presidenca dhe bullushkushët e shoqërisë civile duhet të ngriten në mbrotje të policisë së Kosovës sepse ajo ka kapacitete dhe profesionalizëm.
Duke mos reaguar Qeveria, Presidenca dhe përfituesit e milionave nga shoqëria civile ndihmojnë në mospranimin e Kosovës në Interpol dhe organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe botërore.
E keni detyrë të flisni dhe tregoni që policia e Kosovës ka aftësi, përgatitje dhe mjete të sigurojë dhe garantojë mbrojtjen nga liria dhe izolimin e nevojshëm siç do cilado gjykatë e Kosovës të secilit qytetar të Kosovës.
Heshtja juaj i jep municion Serbisë, kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës të pretendojnë se nuk jemi gati për Interpol si çdo shtet tjetër.
Folni! Thuajeni të vërtetën dhe kryejeni detyrën qytetare për të mbrojtur shtetin sepse të gjithe paguheni duke ju falënderuar shtetit të Kosovës!