Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është një moment jo vetëm urimi por edhe i një përkujtimi për sfidat e popullit të Kosovës, të liderëve të saj historik, që trasuan rrugën e Shtetit të Pavarur të Kosovës, shkruan Botapress.
Për këtë qëllim. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së ka gjetur rastin që në përvjetorin e 14 të Pavarësisë së Kosovës t’i sjllë dy vajzat e tij Erën e Rozin në Shtëpinë e Pavarësisë Ibrahim Rugova, që sic ka thënë ai, “…të iu kujtoja jo vetëm ditën e lindjes së shtetit tonë por njëkohësisht të iu tregoja edhe për breza të tërë që e bënë të mundur këtë ditë”
Ja postimi i Lumir Abdixhikut në Facebook:
Bashkë me Erën dhe Rozin, në këtë 14 vjetor të pavarësisë së Kosovës, vizituam Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova””. Doja të iu kujtoja jo vetëm ditën e lindjes së shtetit tonë por njëkohësisht të iu tregoja edhe për breza të tërë që e bënë të mundur këtë ditë.
Në sytë e tyre dhe bashkëmoshatarëve që kanë, do të duhej të kishte fotografi të pastra e të qarta; por rruga drejt lirisë dhe pavarësisë ka qenë sa e dhimbshme aq edhe e lavdishme. Prandaj, si gjeneratë që festojmë këtë ditë, duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë e të tjerëve pas tyre se sa e madhe ishte sakrifica e të rënëve në altarin e lirisë; e intelektualëve që në orën më të rëndë të vendit organizuan lëvizjen nacionale për liri dhe shtet; e gjithë popullit tonë që rrugëtoi drejt 17 shkurtit me dinjitet.
Sot, kujtojmë Atin themeltar të shtetit tonë, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova, vepra e të cilit mbetet vula identitare e lirisë dhe pavarësisë. Kujtojmë familjen Jashari dhe gjithë luftëtarët e të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtojmë viktimat e shumta nëpër kohë; siç kujtojmë dhe miqtë e aleatët tanë që na qëndruan në krah.
Sot, të lirë e në shtetin tonë, ne punojmë për të ardhmen. Çdo angazhim i yni duhet të jetë përkushtim i palëkundur për të ndërtuar Kosovën demokratike, evropiane dhe dinjitoze. Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, anëtare në NATO dhe BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, është udhërrëfim i pandryshueshëm për ne.
Gëzuar 17 shkurti, Kosovë!