Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë dhe ndërhyn Policia. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një lokal në Drenas/.
Siç mëson Sinjali, pronari i një lokali ‘Frizer’ është kërcënuar nga një person, për motive akoma të panjohura, derisa ishte duke punuar.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari – i cili ka përfunduar në ndalim policor, i ka shkuar viktimës te lokali dhe e ka kanosur seriozisht, ku ndër të tjera e ka paralajmëruar se “Lokalin kam me ta kallë…”.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur dhe motivet që mund ta kenë shtyrë të dyshuarin për ta kërcënuar.
Si rezultat, Policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit, i cili po ashtu është intervistuar lidhur me rastin
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.