Llapi ka bërë befasinë duke e përmbysur në rezultat Prishtinën për të fituar Superkupën e Kosovës.
Skuadra e Tahir Batatinas pas plotë 120 minutave lojë, ia doli të fitojë me rezultat 1 – 3, shkruan lajmi.net.
Ndeshja mes dy skuadrave nisi në formën më të lartë, ngase të dy klubet që nga fillimi kërkonin të gjenin golin.
Problemet për Prishtinën nisën qysh në minutën e 27-të, kur Endrit Krasniqi u ndëshkua me të kuq pas dy kartonëve të verdhë.
Sidoqoftë, asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë gol në pjesën e parë, pavarësisht rasteve, siç ishte goditja e Alban Shillovës që u ndal nga Halimi.
Në pjesën e dytë, Prishtina ishte më kërkuese dhe gjeti golin pas një gabimi në mbrojtje të Llapit, përmes Otto John (67’).
Nigeriani kishte edhe dy raste të arta, por nuk shënoi në situatën një kundër një.
Ndërkohë, derisa pritej të mbyllej ndeshja me këtë rezultat, arbitri Dardan Çeka pas konsultimit me VAR akordoi penallti, pas një prekje me dorë.
I saktë nga pika e bardhë ishte qendërmbrojtësi Festim Alidema (86’), andaj edhe koha e rregullt u mbyll me këtë rezultat.
Në kohën shtesë, Llapi arriti ta përmbys rezultatin përmes një goli të bukur të Valmir Veliut (102’).
Fitoren e Llapit e vulosi Alidema pas një penalltie, të cilën e shkaktoi Betim Halimi që gjithashtu u ndëshkua me të kuq (114’).
Kësisoj, Llapi e fiton Superkupën e Kosovës pas fitores 1 – 3.