Me çfarë të drejte qeveria e Kosovës guxoi të negociojë me KFOR-in për lirimin nga rrethimi të vrasësve të policit Afrim Bunjaku?
Jo ndonjë gazetar, as ndonjë media e Kosovës a media ndërkombëtare, por Raporti preliminar i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka raportuar se Milan Radojicic dhe terroristët e tij u lanë të largoheshin nga rrethimi brenda manastirit pas negocimit përmes KFOR-it.
Ja çfarë thotë raporti në faqen 10, në pikën 51: “Pas një periudhe të shkurtër të de-eskalimit gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përplasën me policinë në Banjë në Veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që la të vdekur një polic dhe tre sulmues. Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyllin përreth (manastirit), ku edhe u zhdukën”.
Pra, ata i kishte rrethuar Policia e Kosovës, por dikush nga institucionet e Qeverisë së Kosovës ka negociuar me KFOR-in për t’i lënë të largohen të lirë drejt malit nga ku edhe kanë kaluar në Serbi.
Kush dhe me çfarë të drejte ka negociuar me KFOR-in që t’i krijojë shteg të sigurt largimi vrasësve të policit të Kosovës Afrim Bunjaku?
Kush dhe me çfarë të drejte ka negociuar me KFOR-in që t’iu mundësojë largim të sigurt drejt Serbisë terroristëve që deshën ta okupojnë një pjesë të territorit të shtetit?
E kam bërë në më shumë se një rast pyetjen se si është e mundur që Kurti e Svecla dolën në konferencë duke na thënë se terroristët janë në rrethim dhe i ftojnë që të dorëzohen dhe vetëm pak orë më pas i pamë tek largoheshin?
Qeveria kolaboracioniste, siç tashmë po vërtetohet, ka bërë negocim, apo Pazar, përmes KFOR-it me terroristët.
Kush dhe çka ka fituar në këtë pazar të ndytë që pa asnjë diskutim përbën një nga aktet më të larta të tradhtisë kombëtare?
Cili është ai person në Kosovë, i zgjedhur a i pazgjedhur nga populli, që guxon të negocioi lirim të terroristëve në emër të shtetit të Kosovës?
Albin Kurti dhe Xhelal Svecla duhet urgjentisht të përgjigjen: Përse negociuan ikjen e Radojicic-it nga Kosova? Përse asnjëherë nuk treguan se çfarë ka ndodhur? A është kjo arsyeja që këta asnjëherë nuk ndërtuan një raport përfundimtar për ngjarjet në Banjë, përkundër se edhe BE-ja ua kishte besuar atyre që ta kryenin hetimin dhe të vijnë me përfundime?
Sot s’ka asgjë më të rëndësishme, asnjë temë më me interes nacional se ballafaqimi publik i atyre që liruan vrasësin e policit shqiptar të ikën i lirë.
Kurti e Svecla duhet të detyrohen të flasin, me çdo mjet.