Prishtinë, 25 korrik – Pas shumë peripetive dhe shumë angazhimeve të Presidentes së Komitetit Paralimpik (KPK) znj.Njoza Emini dhe ekipit të saj, të martën zyrtarisht janë licencuar nga Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar atletët dhe trajnerët nga Republika e Kosovës. Presidentja e KPK znj. Njomza Emini, ambasadori i Francës z.Olivier Guerot dhe kryetarja e Federatës Paravolejboll, Drliona Islami ua kanë dorëzuar licencat dhe kartelat e identifikimit sportistëve me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.
Në prani të anëtarëve të Komitetit, parasportistëve e federatave parasportive, presidentja, znj. Emini theksoi se kurrë nuk kemi qenë më afër kampionëve botërorë dhe evropianë.“Dyert e garave evropiane dhe botërore po hapen për parasportistët tonë, mundësia për pjesëmarrje në Lojërat Paralimpike Paris 2024 është më se reale. Sot, kemi kënaqësinë t’ua dorëzojmë zyrtarisht licencat dhe kartelat e identifikimt parasportive Z. Grevist Bytyçi dhe Znj. Vjollca Hoxha, në cilësi të parasportistëve të parë të Republikës së Kosovës të licencuar ndërkombëtarisht dhe z. Adrian Mazreku, trajner i cili do shoqërojë para sportistët tonë në këto gara ndërkombëtare për të mundësuar suksesin në rrugëtimin e ri të tyre. Sot, me krenari deklarojmë që me mbështetjen e partnerëve tonë, Ambasadës së Francës në veçanti, ambasadorit z. Oliver Guerot, Ambasadës së Gjermanisë dhe shteteve tjera aleate, kemi arritur të kemi suksesin e duhur për të shtyrë përpara këtë kauzë, pjesëmarrjen në këto ngjarje ndërkombëtare si të barabartë me gjithë parasportistët e shteteve tjera”, ka thënë presidentja Emini.
Ambasadori francez, uroi Komitetin Paralimpik për rezultatet e njëpasnjëshme, Grevistin, Vjollcën dhe Adrianin dhe përsëri deklaroi se personat me aftësi të kufizuara dhe parasportistët do e kenë mbështetjen e Francës, përveç ndërkombëtarizimit të sportit edhe në projekte tjera që ndryshojnë jetën e kësaj kategorie për pjesëmarrje më të mirë në shoqëri.
Adrian Mazreku në emër të para sportistëve, falënderoi Komitetitn Paralimpik të Kosovës, në veçanti presidenten znj. Emini për mbështetje dhe angazhim të gjatë deri në finalizim të këtij procesi. Ai u zotua se do të përfaqësojë Kosovën dinjitetshëm dhe bashkë me Grevistin e Vjollcën synojnë rezultate në “Parisi 2024”.
Komiteti Paralimpik i Kosovës çdo herë ka qenë, është dhe do të mbetet i përkushtuar në promovimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara. Përmes këtij përkushtimi të vazhdueshëm si KPKt do të kapërcejmë çdo sfidë që na del para me të vetmin qëllim, ofrimin e mundësive të barabarta për sportistët me aftësi të kufizuara dhe do të shërbejmë si një burim inkurajimi dhe frymëzimi për ta zhvilluar potencialin e tyre profesional. Kjo qasje e përkushtuar ndaj sportit paralimpik është shumë e rëndësishme për përmirësimin e kushteve dhe përfshirjen e të gjithë sportistëve me aftësi të kufizuara si dhe do të jemi këmbëngulës për të kontribuar në rritjen e vetëdijes së shoqërisë ndaj sfidave që përballen këta sportistë dhe ndaj potencialit të tyre të jashtëzakonshëm.
Të bashkangjitura fotografitë e ngjarjes.
Bashkë drejt Parisi 2024!