Në një nga plazhet shqiptar, me plotë pushues, një zotëri relativisht i ri, i ngarkuar me një çantë udhëtimi i bie bregut pash më pashë. Ndalet çadër më çadër duke shfrytëzuar nga rasti edhe për të pushuar çikë!
“Urdhëroni zotëri! Zonjë, kemi edhe për ju libër! Më së shumti po kërkohet ky, “JASMINA”! Ja kalamaj, ka edhe për ju!”
“Mos i prekni”, qorton zonja! “I keni duart e lagura dhe mund të njomen librat. Do të detyrohemi t’i blejmë pastaj”! Dhe fëmijët që tërhiqen si fajtorët më të mëdhenj në gjithë plazhin!
“Urdhëroni libra, libra, hajde libra nga autorë shqiptarë e nga shkrimtarë të huaj”! Dhe të gjithë pushuesit e përcjellin derisa të zhduket në mes të çadrave të plazhit! Dëgjohet vetëm zëri “libra, libra këtu…”
Pastaj që kalon një zonjë duke bërtitur: “Fara të zeza, fara të bardha, fiq, letra, domino”! Dhe, brenda pak
minutave, zonjës i zbrazet shporta e thurur me thupra dhe, sërish kthehet në bazë për t’u ngarkuar me letra, domino e me fara kungulli e luledielli! Pak para muzgut, kthehet edhe zotëriu me po të njëjtën ngarkesë mbi shpinë!
“Shita vetëm tre libra, i kalova mbi pesë mijë pushues dhe shita vetëm tre libra! Kur ta mendosh, pastaj, këtu vinë vetëm të kamurit dhe shtresat e larta, me biblioteka private që, me gjasë, i kanë vetëm dekor shtëpie! Hë zotëri, cilin libër do ta marrësh! Merre këtë për fëmijët, do kënaqen!”
“Na le rehat, zotëri! Fëmijët po i kënaqen detit…”
“Libraria mobile” shkon çadër më çadër, shijon pak hijen, pak pushimin dhe pak denglat e pushuesve.
Këtë shijim e përjeton katër muaj rresht, bashkëbisedon me mijëra e mijëra pushues. Vetëm libra nuk shet! Përjetim ky i përvitshëm i zotërisë që i nxjerr librat në rrezitje! /HEJZA/