Deputetët e LDK-së kanë lëshuar sallën e Kuvendit pas përplasjes që patën me deputetët VV-së për pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për krizën me rrymë.
Ishte shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili tha se pas sjelljes së deputetëve të VV-së ndaj atyre të opozitës do ta largohen nga seanca.
“Në qoftë se kryeministri i vendit e quan të parëndësishme me marrë pjesë në këtë seancë, nëse deputetët e pushtetit sillen në këtë formë me deputetët e opozitës atëherë ne deklarojmë se largohemi nga seanca deri në pikën e radhës”, tha Gashi.
Opozita ka kritikuar mungesën e Kurtit në këtë seancë, ku pritet të votohet propozim-vendimi i Qeverisë për marrjen e masave për emergjencë energjetike.