Profesori universitar, Blerim Latifi, ka bërë një analizë të shkurtër pasi rruga “2 Korriku” në Prishtinë u shndërrua në rrugë me kalldrëm, e cila do jetë me mundësi kalimi vetëm për këmbësorë.
Transformimi i rrugës që ndryshe quhet te “Kafet e Rakisë” siç duket po iu pëlqen qytetarëve dhe sipas tyre, pamja e re po u ngjason me Prishtinën e vjetër.
Komplimentet për këtë projekt të komunës i shprehu edhe vetë Latifi, i cili u shpreh se ky vend është ikonik për Prishtinën, transmeton Paparaci.
“Më pëlqeu rregullimi që Komuna e Prishtinës i kishte bërë hapësirës te “Kafet e Rakisë”. Ky vend është ikonik për qytetin e Prishtinës. Heqja e asfaltit të shëmtuar që ishte aty dhe shtrimi me kalldrëm ia ka shtuar edhe më shumë vlerat”, shkroi ai në Facebook.
“Si gjithmonë kalldrëmi të jep shijen e qyteteve të vjetra. Kjo fjalë ka origjinë greke, nga kalos që dmth e bukur, dhe dromos qe dmth rrugë. Pra rrugë e bukur. Kjo domethënie reflekton faktin se në kohët paramoderne kalldrëmet ishin rrugët më të mira. Pastaj erdhi asfalti dhe e errësoi lavdinë e tyre. Në Perandorinë Osmane ndërtuesit kryesorë të kalldrëmeve ishin mjeshtërit shqiptarë, prandaj edhe quhej “kalldrëmi i shqiptarëve”( Arnavut kaldırımı)”, shtoi ai.