I kemi bërë sot disa orë udhë, për ta lëshuar shtatin tënd të hedhur në dheun e vendlindjes sate që e deshe aq shumë.
Na ke folur gjithmonë me pasion për Plavën e Gucinë, për malësorët e dashur dhe zemërmirë që i deshe shumë…
Të gjithë malësorët tu, si kreshnikët e legjendave, u zdorgjën sot për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit tënd…
Na ke folur gjithmonë për Krojet e Ali Pashë Gucisë, për bjeshkët e gërgjet e bukura të vendlindjes sate dhe për gjithçka që nga ti mësuam për herë të parë…
Sot, derisa dielli rrëzëllente mbi varrin tënd, ishim fort të pikëlluar pasi të kishim mik të zemrës. Ike i ri, derisa fjalët tua të ëmbla, timbri i zërit tënd dhe nuri i buzëqeshjes sate, do na mungojnë përgjithmonë…
Të faleminderit që e deshe aq shumë Kosovën, që shkruajte aq bukur për të dhe i fale gjithçka nga vetja pa kursyer asgjë. Për Kosovën dhe njerëzit e saj, gjithmonë ke folur e shkruar me dashni të madhe, edhe atëherë kur ne nuk qëndruam stoik përballë teje…
Lamtumirë Arben Rugova. Sonte në natën e parë të pranverës, të qoftë e lehtë nata e parë e varrit…