Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur indirekt kryeministrit aktual, Albin Kurti, lidhur me investimet potenciale të Bilfingerit gjerman në sektorin e energjisë në Kosovë.
Mustafa ka thënë se kjo kompani gjermane nuk kishte ofruar asgjë më shumë se 15-20 faqe të shkruara dhe nuk janë lajmëruar më asnjëherë për projektin e tyre.
Mustafa ka kujtuar edhe takimin me Merkel ku është diskutuar për investimin e kësaj kompania, por që thotë se investitorët nuk kanë kthyer kurrë më përgjigje.
“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.
Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt.
Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim.
Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re” shkruan Mustafa në sqarim./