Ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është lajmëruar pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve.
Grenell përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha ‘po’ marrëveshjes që ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte rënë dakord vite më parë.
Tutje ai shpreson se Kurti do të fillojë t’i zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme.
“Kështu që@albinkurti ka rënë dakord për diçka që @HashimThaciRKS ka rënë dakord vite më parë… Letërnjoftimet nga të dyja palët edhe një herë pranohen – por kësaj radhe Kurti thotë po. Ai po arrin – le të shpresojmë se do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme”, shkroi Grenell.
Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare, me këtë rast duke u hequr pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët.