I dërguari europian për dialogun, Miroslav Lajçak të enjten vjen në Prishtinë dhe më pas shkon në Beograd për t’i përgatitur palët për takimin e rëndësishëm të 18 marsit. Ndërkombëtarët presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do ta nënshkruajnë marrëveshjen mbi bazën e propozimit europian. Asociacioni mbetet çështja më e vështirë, por Lajçak i ka tashmë disa modele të cilat i ka ndarë me palët. Ndërkohë SHBA-ja pret që Qeveria ta formojë Asociacionin dhe që diskutimet për këtë të nisin menjëherë
“Padia ndaj Serbisë për gjenocid”, Hasani: Paralajmërimi i Kurtit fiktiv dhe joserioz
Asociacioni mbetet pika më delikate e marrëveshjes të cilën ndërkombëtarët presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksanadar Vuçiq do ta nënshkruajnë së shpejti.
Takimi i radhës ndërmjet dy liderëve është caktuar për 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për të kanë nisur përgatitjet.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 27 shkurt në Bruksel, ku e pranuan propozimin e Bashkimit Europian të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.
I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të enjten do të vijë sërish në Prishtinë, kësaj radhe në një pikë më të nxehtë të dialogut. Ai më pas do të shkojë në Beograd të hënën. Qëllimi, siç ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano është të vazhdohen diskutimet dhe përgatitjet për takimin e radhës.
Lajçak ka thënë se në tavolinën e tij i ka 16 modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilat ka thënë se i ka ndarë me Kosovën dhe Serbinë.
“Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti dhe Vuçiq tashmë janë pajtuar se s’kanë nevojë të diskutojnë më tepër për propozimin europian, që ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Marrëveshja që po shtyhet që nga viti i kaluar nuk është nënshkruar ende, edhe pse BE-ja vendosi ta publikojë zyrtarisht pas takimit të fundit në Bruksel.
SHBA-ja ka pritje që do të formohet: “Diskutimet për Asociacionin të nisin menjëherë”
Kryeministri Kurti nuk do që Asociacioni të jetë pika thelbësore e marrëveshjes, ndonëse në takimin e fundit në Bruksel ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin i cili përmban edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, përfshirë atë për themelimin e kësaj bashkësie komunash me shumicë serbe.
SHBA-ja këtë vit i ka shtuar përpjekjet dhe i ka bërë ato më konkrete në mënyrë që ta bëjë kryeministrin e Kosovës që ta pranojë themelimin e Asociacionit. Kurti ka rezistuar deri tash, por SHBA-ja pret që diskutimet për këtë çështje të nisin “menjëherë”.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në fund të shkurtit organizoi një diskutim për këtë çështje dhe më pas ambasadori Jeffrey Hovenier i mblodhi disa përfaqësues politikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në rezidencën e tij për të diskutuar më tej rreth kësaj.
Tash Ambasada Amerikane s’i ka shtuar asgjë deklaratave të të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorit Jeffrey Hovenier për dialogun.
Pas takimit të fundit në Bruksel, Escobar tha se “kemi shumë punë për të bërë” dhe të nesërmen foli për Asociacionin. Ai tha se ky është obligim që duhet zbatuar.
“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë ai në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.
I pyetur për afatet e mundshme, Escobar tha se pyetja është se sa shpejt do të formohet.
“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.