Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dëguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar kanë mbërritur në Presidencë te shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Gazeta po e përcjell nga afër vizitën e dy diplomatëve, të cilët në orën 17:00 do të shkojnë në Qeveri për t’u takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak dje në një intervistë ekskluzive për Gazetën , ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre, ka siguruar emisari evropian.
“Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale, ka thënë Lajçak, duke mos treguar se cilat tema do të diskutohen. Tha se “do t’ju informojë në fund, pas vizitës”.