Dibran Hoxhaj dhe pesë të dyshuarit e tjerë janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prizren. “Kobra” po akuzohet për vrasje të rëndë. Ai po dyshohet se ka vrarë Visart Cengun e ka plagosuar Rufgen Shehun.
Ai tha se vëllai i tij, Enver Amrallahin, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin kritik, por erdhi më pas, ngase dikush i kishte thënë se e kanë vrarë atë.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahin, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha raporton Betimi për Drejtësi.
Hoxhaj tha se Amrllahu ka ardh pasi kishte marrë informacione se ai (“Kobra”) është vrarë.
Si ndodhi vrasja
Sot në orët e para të mëngjesit, nga të shtënat me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçar dhe një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri, në një lokal në Prizren.
Dyshohet se biznesmeni Dibran Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri drejt tre të rinjve nga Kukësi, teksa ata ishin duke u larguar me makinë nga lokali.
Plumbat kanë prekur dy prej të rinjve, ndërsa i kanë marrë jetën Visart Cengut dhe kanë plagosur Rufgen Shehun.
Visart Cengu është 31 vjeçari që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kukësit. Ndërsa Rufgen Shehu sipas policisë ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Shoku i tyre, Arben Basha ka deklaruar në polici se ndaj tyre ka qëlluar Dibran Hoxhaj në momentet që ata po largoheshin me automjet nga lokali.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pronari i lokalit Kobra City, Dibran Hoxhaj është arrestuar, pasi dyshohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Insajderi se së bashku me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruara edhe pesë persona të tjerë./Botapress.info/