I riu, Egzon Haziri (rreth moshës 30 vjeçare), ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave mbrëmë në Prishtinë.
Haziri s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë, raporton Sinjali.
Në anën tjetër, dy të plagosurit janë dërguar në Emergjencë dhe sipas informacioneve të para, njëri nga ta është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa një grua ndodhet në gjendje kritike.
Kujtojmë se fillimisht sinjalizuesit kanë raportuar për dy të plagosur, mirëpo më pas u konfirmua se nga të shtënat janë plagosur tre persona – një prej tyre tashmë i vdekur.
Rastin e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës në policinë rajonale të Prishtinës.
“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, tha Borovci për Express.
Policia po punon në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, teksa e plagosura po trajtohet në QKUK.
“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha ai.