Edhe gjatë ditës së djeshme, skena politike në vend u polarizua. Në mënyrë të papritur, mbështetësit e VV-së e shpallën fitoren e Albin Kurtit duke vendosur t’i injoronin disa fakte. Ndërkohë, në mënyrë të pritur kritikët e VV-së e shpallën ‘kapitullimin’ e tij. Kush fitoi e kush humbi dje në Bruksel?
Takimi i djeshëm pritej të ishte i rëndësishëm. Shumë i rëndësishëm. Dhe, deridiku doli i tillë.
Natyrisht, duket se një pjesë shumë e rëndësishme ka mbetur ende për t’u negociuar, e që ka të bëjë me planin e zbatimit. Por, megjithatë, nga deklarimet e palëve mund të kuptojmë se është bërë një hap i madh përpara.
Fitues: BE-ja
I dërguari special i Bashkimit Evropian (BE), Mirosllav Llajçak, kishte deklaruar javën e kaluar për takimin se priste që të zyrtarizohej pranimi i propozimit evropian (franko-gjerman) nga të dyja palët.
Dhe, një gjë e tillë edhe ndodhi. Kjo u konfirmua nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që u shpreh se palët madje ishin pajtuar që të mos negocionin më shumë mbi propozimin. Ai ishte pranuar.
“Kurti dhe Vuçiqi janë pajtuar që nuk ka nevojë për më shumë diskutime për propozimin evropian,” – u shpreh ai mes tjerash, duke treguar edhe se propozimi do ta kishte një emër të ri. Tash e këndej do të quhej “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Fitues: Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës mund të ketë pranuar një marrëveshje që përmbante Asociacionin dhe nuk përmbante njohjen de jure nga Kosova, por megjithatë ia doli që të merrte mbështetje të madhe në vend.
Askush nga partia e tij nuk shprehu kritika në lidhje me propozimin. Madje, analistë të ndryshëm që mbështesin Vetëvendosjen u munduan edhe që të potenconin fjalët apo fjalitë e mira nga ky propozim. Analisti Rron Gjinovci, madje shkoi aq larg sa e cilësoi marrëveshjen si “perfekte” përkundër që besohet të ketë protestuar edhe vetë kundër marrëveshjeve të kaluara që është e obligueshme të zbatohen.
Kurti ishte më i moderuar në fjalët e tij. Edhe pse në Kosovë ishte shpallur veçse “mosdorëzimi” i tij për Asociacionin, ai në fakt u shpreh se ajo ndodhej në “fjalën e fundit, të nenit praktikisht të fundit” të marrëveshjes.
Megjithatë, ajo çka ndodhi mbrëmë tregon se pavarësisht rezultatit nga takimi i radhës, Kurti do të arrijë që të fitojë mbështetje në Kosovë.
Fitues: PDK-ja dhe LDK-ja
PDK dhe LDK e kishin tërhequr vazhdimisht vërejtjen se propozimi në fjalë duhej të përmbante njohjen de jure nga Serbia dhe duhej që të ishte marrëveshje finale. Veçanërisht LDK, tash e disa muaj kishte tërhequr vërejtjen se Qeveria Kurti po binte në “grackat e Serbisë” përmes tensioneve, e të cilat po bënin që dialogu të rrëshqiste në dëm të Kosovës.
Tashmë, dy partitë më të mëdha opozitare kanë një kauzë të fortë e legjitime që duhet ta argumentojnë.
“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve.
Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët.” – u shpreh në një status z. Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Përkundër zhurmës irracionale në sferën publike, këto dy parti politike për shkak të pozicionimit mbi propozimin në fjalë, mund të jenë fitueset më të mëdha të djeshme. Natyrisht, në rast se arrijnë me forcë e argumente ta çojnë përpara fjalën e tyre.
Humbëse: AAK-ja
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për arsye të pakuptueshme kishte vendosur qysh më herët që t’i jepte mbështetje Qeverisë së Kosovës për propozimin evropian (franko-gjerman).
Një gjë të tillë, ai ishte i detyruar që ta bënte edhe dje, duke e interpretuar në mënyrë arbitrare si “pranim faktik i pavarësisë së Kosovës”.
Por, në deklarimin e djeshëm ai megjithatë s’i rezistoi përmendjes së “njohjes” reale nga Serbia që nuk duket asgjëkundi në propozim, e që duket se po e luhat paksa pozicionin e tij.
“Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!” – tha z. Haradinaj.
Humbëse: Kosova
Në propozimin e publikuar nga Bashkimi Evropian nuk ka njohje reciproke. Ajo nuk është as në qendër, as në skajet e propozimit e nuk është as në “fjalinë e fundit të nenit të fundit”.
Në këtë propozim, po ashtu nuk jepet asnjë garanci që shtetet mos-njohëse në BE apo NATO do të ndërrojnë qëndrimin e tyre për Pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i vendit nuk e ka thënë në ndonjë deklarim se ka marrë ndonjë garanci për ndonjë gjë të tillë nga ana e liderëve të shteteve evropiane. Pa një gjë të tillë, edhe ekspertë ndërkombëtarë si Edward P. Joseph shprehen shumë skeptikë në lidhje me marrëveshjen.
Pas pranimit të propozimit evropian, ai beson që diplomacia amerikane do të përballet me të njëjtën pengesë me të cilën është përballur deri tash.
“Në thelb, diplomacia ShBA-BE do të pengohet nga e njëjta pengesë që e ka zgjatur çështjen e Kosovës për pesëmbëdhjetë vjet: refuzimi kokëfortë i shteteve mos-njohëse për ta ndryshuar qëndrimin e tyre.” – argumenton ai.
Se propozimi në fjalë është më “afër Serbisë”, e kishte thënë dikur madje edhe vet Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
“Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshinë njohje reciproke në këtë fazë,” – thoshte z. Bislimi më 28 tetor për këtë çështje.
Fitues: Debatet televizive
Debatet televizive në vend do të vazhdojnë ta tjerrin temën e dialogut të Kosovës me Serbinë edhe për të paktën dhjetë vitet e ardhshme.
Marrëveshja në fjalë parashikon nisjen e negociatave shtesë, e mundësinë edhe për kompromise shtesë nga Kosova, gjë që natyrisht se u jep lëndë për më shumë debate të temës kryesore në 15 vitet e fundit në Kosovë edhe analistëve tanë.