Procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët është përmbyllur dhe për një deputet të LVV-së, marrëveshja e arritur së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë e solli këtë vendim. Në Qeveri, ku s’pati asnjë vonesë për ‘i marrë meritat për këtë, mund të mos pritet mirë kjo deklaratë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi para një jave tha se punuan “ditë e natë” për liberalizimin e vizave.
Deputeteti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj thotë se marrëveshja e arritur së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë për rrugën drejt normalizimit, e ka qenë shkas për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Dakordimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel në fund të shkurtit e më pas në Ohër në mes të marsit, sipas deputetit Rexhaj ia ka hapur rrugën Kosovës.
“Liberalizimi i vizave realisht ndodhi nga Marrëveshja e Ohrit. Pra, mendoj që është çështje e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje i përmban pikat për të cilat është nënshkruar”, ka thënë ai në Tëvë1.
Për liberalizimin e vizave ka version krejt ndryshe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Zëvendësi i Albin Kurtit që merret specifikisht me integrim europian, saktësisht para një jave ia la krejt meritat Qeverisë që kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.
Bislimi gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Integrime, e kishte përshkruar procesin si shumë të komplikuar, me disa vende që vazhdonin të hezitonin. Hezitimin, siç pretendonte ai, ua hoqi qeverisja aktuale.
“Këto hezitime kishin të bënin kryesisht me korrupsionin, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar si dhe migrimin e parregullt”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se pas një viti në qeverisje, kishin shënuar “sukses në këto fusha”.
“Nuk mund t’i falënderoj mjaftueshëm të gjithë ata që kanë punuar ditë e natë që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka thënë ndër tjerash zëvendëskryeministri, duke përmendur veçanërisht përfaqësuesit e disa ministrive e stafin e tij.