Kush çfarë plani franko-gjerman ka parë? Versionet e ndryshme e të habitshme të liderëve politikë

Ishte shtatori i vitit të kaluar kur Kanclerari Federal Gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishin nisur një letër të përbashkët drejt Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo kishte ardhur pas mobilizimit të fuqishëm ndaj agresionit rus mbi Ukrainën dhe nevojës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve rajonale dhe bilaterale në Ballkanin Perëndimor.

LEXO EDHE KETE

Rritet sërish çmimi i derivateve në Kosovë, flasin nga shoqata e naftëtarëve

Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ishte “e rëndësisë kyçe”, siç shkruanin dy liderët kryesorë evropian në letrën nisur Kurtit dhe Vuçiqit.

Krahas thirrjes për normalizim, ata lajmëruan për angazhimin e dy top-këshilltarëve të tyre për politike të jashtme, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, për ta asistuar drejtpërsëdrejti ndërmjetësin evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Ishte çështje ditësh kur ato do të udhëtonin për në Kosovë dhe Serbië. Me vete ata sollën një propozim “franko-gjerman” si kornizë të re për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse drafte të shumta kanë qarkulluar në media që atëherë, përmbajtja e këtij planpropozimi nuk i është dhënë publikut “për hir të konfidencialitetit të bisedimeve”.

Megjithatë, ndonëse ky plan është bërë fantazmë për të cilin të gjithë flasin e pakkush e ka parë, për të kanë dhënë hollësi liderët e opozitës të cilët thonë ta kenë parë, por edhe zv/kryeministri Besnik Bislimi si dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Megjithatë, versionet e tyre nuk nuk përkojnë fare me njëri-tjetrin.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte i pari që publikisht zbulonte përmbajtjen e këtij plani, thoshte se ai plan është amerikan dhe se në vete “ka njohjen e ndërsjellë” madje atë dhe atë “në mënyrë eksplicite”, shkruan Insajderi.

Kjo marrëveshje do të ishte finale, thoshte bindshëm Haradinaj.

Megjithatë, ishte i dyti në Lëvizjen Vetëvendosje, njëherit Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e frazonte ndryshe.

Në këtë plan Konjufca pranonte se nuk ka njohje formale, por vetëm “de fakto”.

“Njohja në këtë plan është de fakto, që Serbia dhe Kosova  të nënshkruajnë që të  funksionojnë mes vete plotësisht si shtete të pavarura dhe ta pa pranojnë pavarsinë e tyre në funksionimin e tyre praktik dhe konkret”, deklaronte Konjufca.

Kosova, sipas Konjufcës, assesi nuk e kishte lluksin ta refuzonte këtë propozim.

Ndërkaq, Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhku, për këtë plan thoshte se vetëm sa e mban Kosovën si palë negociuese me Serbinë edhe më tej.

“Nuk po them që s’është opsion (plani franko-gjerman), por them që nuk guxojmë që brenda një plani të tillë të kemi hapësirë për negociata të mëtutjeshme”.

“Për aq sa kam mund të shoh, kam parë që njëra prej pikave të planit parasheh që Kosova të jetë në proces dialogues edhe pas planit me Serbinë, që është e pakuptimtë”, ishte shprehur Abdixhiku.

Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje bazë, thoshte Abdixhiku, por marrëveshje finale me njohje në qendër.

Ndërkaq sa i përket çka qëndron në qendër, Kreu i PDK-së, thoshte se në qendër të këtij propozimi nuk ka njohje, por themelim të Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Çështja e Asociacionit, Krasniqi tregonte se ishte frazuar ndryshe si “Nivel adekuat i vetëqeverisjes lokale”, që ishte pikë “qendrore” e këtij propozimi.

„Nëse ai heq dorë prej njohjes së ndërsjellë është si me heq dorë prej shtetësisë së Kosovës, është dicka e papranueshme. Ashtu sic është sot plani franko-gjerman nuk do të pranohet nga askush”.

“Drafti aktual i këtij që është sot nuk besoj që ka ndonjë parti shqiptare që mundet me votu. Nuk është përgjegjësi e imja me tregu. Ai draft i është dorëzuar kryeministrit dhe presidentes“, thoshte ai.

“Plani sot me qenë mere ose leje, është leje, por plani si I tillë duke u bazuar nga përvojat në të kaluarën, duke u bazuar në përvojkat që i kemi pas, që kanë filluar shumë keq dhe pastaj janë bërë të pranueshme, unë mendoj që duhet të shfrytëzohet, në mënyrë që të përkushtohemi që t’i realizojmë objektivat e Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Memli Krasniqi.

Ndërkaq krejtësisht kontroverz ishte shprehur zv/kryeministri, njëherit kryenegociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi.

Këtë propozim, ndryshe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cile e shpjegonte për “bazë të mirë” për negociata të mëtejme, Bislimi e quante “më në favor të Serbisë”.

Më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës, pasi sipas tij, nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë

“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë”, u pat shprehur ai.

“Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër”.

“Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”.

Kështu e shpjegonte planin franko-gjerman, zv/kryeministri Besnik Bislimi.

Vetëm ditëve të fundit në Kosovë dhe Serbi udhëtuan pesë emisarë nga Uashingtoni, Brukseli, Parisi, Berlini dhe Roma, ku plani franko-gjerman ishte tema kyçe e vizitës.

Madje, për herë të parë që nga shfaqja e saj, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli publikisht lajmëroi se ka pranuar këtë plan, pasi, siç tha ai, “në rast refuzimit, Serbia do të izolohej” nga Perëndimi./Botapress.info/

ngjashme