Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me videon e radhës pikërisht në dy vjetorin e fitores së kësaj partie në zgjedhjet parlamentare dhe e njëjta, e bën Kosovën të duket “si ëndërr” për dy vitet e fundit ku paraqitet se thuajse, gjithçka shkoi mirë. Aty nuk përmendet skandali financiar i ambasadorit Martin Berishaj, nepotizmi nëpër institucione apo afera të tjera korruptive.
VV-ja ka zgjedhur që mbrëmjen e së martës të publikojë një video të radhës, ku si zakonisht, godet të tjerët, lavdëron Qeverinë e udhëhequr nga ky subjekt politik.
Në fillim të videos, pretendohet se pandemia u menaxhua keq me qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se pati “numër rekord të vdekjeve”.
Tutje, thuhet se u mbështet një grup i pasur i “hipermarketeve” dhe se u vodh buxheti shtetëror. Mes tjerash, përmendet edhe Serbia, duke thënë se pati nënshtrim ndaj saj.
Në dy vjet sa Kurti është në pushtet, po thuhet se nuk ka pasur nënshtrim ndaj Serbisë,
“Me një kryeministër si Albin Kurti që ka vizion zhvillimin e vendit, nuk nënshtrohet ndaj Serbisë, kthen dhe shtrin sovraniteitn, një kryeministër që ndihmon qytetarët e jo një grusht të pronarëve privatë.” – thuhet mes tjerash.
Në këtë video, thuhet se Kosova kryeson edhe për lirinë e mediave, ndonëse natyrisht, nuk përmendet sulmet e shumta nga pushtetarët ndaj gazetave të ndryshme, duke përfshirë këtu figura të larta të Lëvizjes Vetëvendosje.
VV-ja mbyll sytë ndaj premtimeve që s’u realizuan
Edhe pas dy vitesh nga fitorja që përshkruhet si historike, premtimet kryesore të Kurtit duken larg horizontit të përmbushjes.
Edhe pse premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje përqendroheshin në ndryshimin e sistemit politik dhe luftimin e korrupsionit, Vetëvendosje premtoi edhe se do i realizonte edhe disa projekte madhore siç janë ndërtimi i 4,000 mijë njësive banesore, ndërtimi 160 çerdheve e pesëfishimi i inspektorëve të punës krahas premtimit se punëtorët e sektorit privat do të mirëtrajtoheshin nën qeverisjen e Kurtit.
Megjithatë, disa prej premtimeve kryesore kapitale të Vetëvendosjes ende nuk janë nuk janë ende as në gjysmë të rrugës për tu realizuar.
Kurti me një përzgjedhje interesante
Edhe kryeministri Kurti ka reaguar në dy vjetorin e fitores në zgjedhjet parlamentare…me një përzgjedhje mjaft interesante të fotografisë.
Ai shihet me dy ministra, me kryeparlamentarin dhe shefen e grupit parlamentar të LVV-së.
Madje, dy ministrat janë pikërisht ata të Listës Guxo, Donika Gërvalla e Faton Peci. Nuk dihet ku kanë qenë pjesa tjetër e Qeverisë Kurti II në momentet kur është bërë kjo fotografi.
Ndërkohë, Kurti bashkëngjitur saj ka shkruar: “Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vetë ndryshimi demokratik. Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri.”
VV “e harron” MartinGate
Natyrisht që VV-ja nuk do ta përmendte Martin Berishajn në videon e saj, ambasadorin e Kosovës në Kroaci të dyshuar për skandalin më të përfolur financiar të kohëve të fundit.
Më poshtë, iu rikujtojmë se si nisi gjithçka:
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.
“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”
Media sllovene tregonte që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.