Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës 15 vjet më parë ishte “një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Ai kujtoi këtë akt si vulë të “ligjshmerisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare”.
“Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Mendimi Këshilldhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri. Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmerisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
“Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë”, shtoi ai.
Kurti tha se “nuk do mend” se “vlera juridike e këtij Mendimi do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale”.
“Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, shkroi ai.



Të tjera
Lajme
Forcat amerikane pengojnë mbi 70 cisterna nafte të hyjnë dhe të dalin nga portet iraniane
Bllokada e SHBA-së po pengon më
Aktuale
Pse u shty shpallja e aktgjykimit për katërshen e UÇK-së në Speciale?
Teksa disa në Kosovë shprehën pakënaqësi
Aktuale
Mirena akuza Spahiut se po i sulmon njerëzit që po largohen prej Kurtit
Iliri Mirena, i ftuar në Pressing