Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë – dronët që u përdoren ndaj Izraelit janë ‘Shaheed’, mijëra të tillë i ka edhe Serbia

 

 

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një takim, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se temë e diskutimit ishte sulmi i Iranit ndaj Izraelit dhe implikimet e këtij akti për paqen e sigurinë globale e rajonale,

Në komunikatën drejtuar mediave nga Qeveria thuhet se Irani kreu sulm ndaj Izraelit me dronë ‘Shaheed’, e që dronë të tillë ka edhe Serbia.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë. Sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian. Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”, thuhet në njoftim.

Tutje, në komunikatë thuhet se institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.

Ndryshe, të shtunën, Irani ka lëshuar një numër dronësh në drejtim të Izraelit.

Sulmi ndaj Izraelit u dënua ashpër edhe nga liderët kosovarë.

ngjashme