Kurti dhe Haxhiu fillojnë “fshesën” në diplomaci: Shkarkohet ambasadori Miftaraj

Me të marrë Zyrën e Presidencës, pushteti i VV-së ka filluar “fshesën” në diplomaci. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti kanë nisur shkarkimet e para.

Merret vesh, se tashmë është shkarkuar ambasadori në Misionin e Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftaraj.

Kështu shkruan Nacionale, e cila raporton se pushteti ka diskutuar edhe për shkarkime tjera në diplomaci.

Një burim nga Presidenca i ka thënë gazetës se Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu kanë diskutuar për ndërprerjen e mandatit të shumë ambasadorëve të Republikës së Kosovës në botë dhe kthimin e tyre në atdhe.

Më 26 janar të vitit 2024, Vehbi Miftaraj ishte emëruar udhëheqës i misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë.

Deri në atë kohë, Miftaraj, kishte shërbyer si këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.

Sot, pas tri vjetësh pune si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës. E falënderova Presidenten për bashkëpunimin e deritashëm dhe për besimin, të cilin ajo dhe institucionet e tjera të vendit ma kanë dhënë, për ta udhëhequr misionin e sapothemeluar të Kosovës në Selinë e Shenjtë/Vatikan”, kishte shkruar Miftaraj në profilin e tij në Facebook, pasi ishte emëruar si ambasador nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky emërim ishte bërë pak kohë pasi Osmani kishte njoftuar për hapjen e këtij misioni.

Më 12 janar, Vjosa Osmani kishte njoftuar se ka dekretuar hapjen e Misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan.

Aso kohe Osmani kishte vlerësuar se njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të ndikonte në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës dhe në procesin e integrimin të vendit në strukturat euro-atlantike.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm tregon për roli e misioneve të posaçme.

Mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në ligj.

Të tjera