Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë. Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku, Memli Krasniqi e Uran Ismajli janë emrat të cilët po lakohen nëpër media, si persona të cilët synojnë ta marrin udhëheqjen e PDK-së.
Por edhe pse pritet të zgjedhë kryetarin e ri, nuk pritet këndellja e PDK-së. Së paku kështu paralajmëron doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.
“Sjellja e PDK-së gjatë qeverisjes dhe pjesëmarrjes në qeverisje në Kosovë, nuk ia lejon një rikthim të shpejtë pa marrë parasysh se kush është kryetar i saj. PDK-ja realisht në krye po vë disa figura por që janë të pafuqishme dhe vendimmarrja politike mbetet tek njerëzit e njëjtë”, thotë Kuçi.
Sipas tij, emrat të cilët po përmenden nëpër media si kandidat të mundshëm, nuk mund ta bëjnë reformimin e PDK-së.
“Edhe emrat deri më tani të propozuar nuk janë asnjë nga ta të cilët do e ndajnë PDK-në nga e kaluara e saj dhe ta shtyjnë drejt një reformimi. Reformimi i partive të tilla mund të bëhet vetëm me një shkëputje totale nga e kaluara e saj qeverisëse pas një pauze të theksuar opozitare dhe reformatore. Figurat e vjetra në PDK asnjëherë nuk kanë lejuar të ngritën figura të forta në këtë parti që do mund të merrnin kreun dhe të tregonin një kalim nga një stad në tjetrin”, shprehet Kuçi.
“Po ashtu duke pasur parasysh se sa shumë vështirësi hasin qytetarët nëpër Kosovë që janë në poste politike apo administrative nëpër komuna, poste administrative në ministri dhe kudo që janë për shkak të uzurpokracisë së tyre, kjo nuk do i lejoj të këndellen”, shprehet Kuçi.
Për fund, Kuçi deklaron se kryetari i ardhshëm i PDK-së do të jetë vetëm kryetar kalimtar, deri në kthimin e Kadri Veselit.
“Kandidati i PDK-së i cili do zgjidhet tani do jetë kalimtar deri në pritje të lirimit të Kadri Veselit dhe PDK-ja me çdo forcë do të tentojë të ruaj pozitën e saj të kapura dhe komuna. Mirëpo, kujtojmë se PDK-ja dikur ishte një PPDK, ndoshta vërtet për një rikthim të saj i duhet të ndryshojë edhe emrin jo vetëm njerëzit”, përfundon Gurakuç Kuçi, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare./Botapress/