Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe familjarë bën homazhe dhe e përkujton ish-deputeten dhe ish-ministren Nekibe Kelmendi, në 11 vjetorin e vdekjes së saj.
“Sot janë bërë njëmbëdhjetë vjet nga ikja në amshim e veprimtares së çështjes kombëtare, Nekibe Kelmendi.
Nekibe Kelmendi ishte gruaja e hekurt, që barte mbi supe dhimbjen dhe rolin fisnik të nënës shqiptare e cila ia kishte falur lirisë së Kosovës dy bijtë e saj, Kastriotin e Kushtrimin dhe bashkëshortin, avokatin e shquar, Bajram Kelmendi.
Ajo la gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, aktiviste politike, avokate, deputete e ministre e drejtësisë. Nekibe Kelmendi si ministre vuri bazat e sistemit të drejtësisë në vend pas shpalljes së pavarësisë, duke dhënë kontributin e saj të pazëvëndësueshëm për shtetin e drejt dhe ligjor.
Edhe pas fillimit të dekadës së dytë nga vdekja e saj, ne sot kujtojmë dhe nderojmë me pietet rolin dhe misionin e saj jetësor për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ikja e saj e hershme la zbraztësirë në jetën politike e profesionale.
Jeta dhe vepra e saj është dhe do të mbetet emër i përveçëm në gurëthemelin e shtetit të Kosovës; ajo mbetet model për gjeneratat që vijnë së si duhet punuar e luftuar për ideale, pavarësisht sfidave e vështirësive jetësore.
Lavdi e përjetshme për jetën dhe veprën e Nekibe Kelmendit” thuhet ne njoftimin e Zyres per Medie te LDK percjelle Botapress.