Kryeshefja e Postës ia bllokon e-mailin e punës sindikalistit që raportoi dyshimet për keqmenaxhim

Një email i sindikalistit të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”, i emërtuar “Reagim ndaj keqmenaxhimit nga ana e znj. Saranda Ademi U.D e drejtoreshës së operativës”, e ka nervozuar tejmase shefen kryesore të kësaj ndërmarrje.

Fakete Kadiu, U.D e kryeshefës në vend se të merret me adresimin e dyshimeve për keqpërdorime, ka marrë masa të mënjëhershme ndaj sindikalistit Liridon Mirena. Ia ka bllokuar atij qasjën në e-mailin e punës që e përdorte për nevoja të sindikatës.

LEXO EDHE KETE

Departamenti Amerikan paralajmëron marrëveshje Kosovë-Serbi “ditëve në vijim”

E-maili Mirenës është bllokuar me arsyetimin se ka pas vërejtje paraprake për keqpërdorim, edhe pse sipas Kadiut, atij i është dhënë në mirëbesim. Ajo ka akuzuar Mirenen se po tenton të përhap tension inekzistent, duke tentuar destabilizim të raporteve brenda ndërmarrjes në të gjitha nivelet.

“Besoj se jeni në dijeni për kompetencat dhe autorizimet e përcaktuara me statutin e ndërmarrjes, dispozitat dhe rregulloret në fuqi, nga të cilat derivojnë kompetencat e secilit organ të ndërmarrjes qoftë ekzekutiv apo mbikëqyrës, tentimi i largimit të vëmendjes së Bordit apo Kryesuesit të Bordit nga objektivat strategjike zhvillimore të ndërmarrjes më çështjet e mikromenaxhimit janë tentime abuzuese me qëllim të përhapjes së tensionit inekzsitent duke tentuar destabilizim të raporteve brenda ndërmarrjes në të gjitha nivelet e që njëkohësisht tentojnë ta destabilizojnë mbarëvajtjen e proceseve të punës me rëndësi vitale brenda ndërmarrjes”, thuhet në e-mailin e Kadiut drejtuar Mirenës.

Tutje, Kadiu i ka thënë Mirenës se është duke abuzuar me e-mailin e ndërmarrjes për interesa personale ose të një grupi të caktuar.

Duke i dal në krah Saranda Ademit, u.d drejtoreshë e Operativës, Kadiu ka theksuar se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga stafi menaxhues i saj, dhe se është në dijeni për të gjitha komunikimet në baza ditore ku nuk është vërejtur asnjë tejkalim i kompetencave.

“Në komisionin kompetent për shqyrtimin e ankesave nuk ka asnjë ankesë në të cilat ju thirreni. Kjo lenë hapësirë të nënkuptohet se akuzat tuaja janë të karakterit shpifje e orkestruar dhe të cilat nuk mund të vlerësohen si veprime në interes të ndërmarrjes e as të ngritjes së përformancës”, shkruan Kadiu.

Pas gjitha kritikave dhe akuzave, në fund kryeshefja e Postës, ka njoftuar Mirenën se e-maili i është bllokuar atij dhe dy sindikatave tjera që veprojnë brenda ndërmarrjes. /Botapress.info/

ngjashme