Albin Kurti para një viti shkoi në Tiranë për një takim me Edi Ramën, ku i rregulluan raportet. Kryeministri i Kosovës tani refuzon ta takojë kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë, një vit pasi ky i fundit e quante vëlla. Më s’e konsideron të tillë. Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, që kishte qëndruar gjatë krah Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën, sot e pret në takim kryeministrin e Shqipërisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzon ta takojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Marrëdhëniet mes tyre janë në pikën më të ulët, aq sa Kurti të mërkurën foli për një “lëngim” në raportin Kosovës-Shqipëri. Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani, e cila para disa muajsh nuk e shihte në sy Ramën, do ta takojë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca gjithashtu.
Shkaku i tensioneve, Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha
Shefit të Qeverisë së Kosovës i ka mbetur hatri nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive që pritej të mbahej në qershor. Rama vjen sot në Kosovë dhe si kusht për t’u takuar, Kurti i ka kërkuar që ta mbajnë mbledhjen e përbashkët të qeverive.
“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, tha Kurti të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë. Ai i përmendi se si i kishin bërë të gjitha përgatitjet për mbledhjen e anuluar të dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor, duke thënë se 13 marrëveshje të cilat do të nënshkruheshin kishin “ngelur në sirtar” dhe nga të cilat tha se “nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët”.
Lëvizja e Ramës erdhi këtë mëngjes, që para se të nisej për në Shkup e për të ardhur pasdite në Prishtinë ia dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të nënshkruara të 13 marrëveshjet.
“Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama në Twitter.
Gazetari dhe publicisti shqiptar, Ben Andoni i tha Gazetës Express se Kurti dhe Rama mendojnë për figurat e tyre mbi marrëdhëniet ndërshtetërore. Ai nuk sheh parime mes të dyve, përveçse “përpjekje për protagonizëm”.
“Mandati i tretë i Ramës dhe i dytë i Kurtit nuk po tregojnë ndonjë gjë më shumë sesa faktin se ata mendojnë më shumë për figurat e tyre, sesa shtratin e një marrëdhënie të madhe, siç edhe na takon në të vërtetë. Nacionalizmi i këtej dhe andej kufirit vjen si karshillëk me BE-në dhe pastaj për të përmbushur dëshirat e një pjese të popullsisë që është shumë patetike. Nuk ka parime mes Ramës dhe Kurtit, por ka përpjekje për protagonizëm të parë. Vetëm se problemi është që Shqipëria është në NATO dhe kontribuon për të, kurse Kosova ka një nga bazat më të mëdha të NATO-s dhe ruhet prej saj. Duket se Kurti nuk e duron dot këtë sens protagonizmi të Ramës”, tha Andoni.
Osmani i rregullon raportet me Ramën, Kurti i hidhëruar
Para rreth një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u duk se i ndreqën punët mes vete. Gjithçka u rregullua pas një takimi në vilën qeveritare në Tiranë në shtator 2022.
Rama e quante vëlla Kurtin, ndërsa sot s’e konsideron të tillë. “Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vëlla, që të jemi shumë të qartë”, tha ai në paraqitje të para pak ditëve.
Kurti dhe Rama janë ‘armiqësuar’ pasi kryeministri i Shqipërisë i doli kundër shefit të Qeverisë kosovare në qëndrimin për situatën në veri dhe në raport me ndërkombëtarët, duke i kërkuar, sikur ndërkombëtarët, të tërhiqet.
Kur Kurti dhe Rama ishin pajtuar në Tiranë para një viti, presidentja Vjosa Osmani e vazhdonte hidhërimin e vetme. Në fund të vitit 2020, si presidente në detyrë, ajo kishte shkuar për vizitë zyrtare në Tiranë dhe në një fjalim para deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë ajo e kishte drejtuar plot akuza ndaj Ramës, i cili kishte zgjedhur të mos shkonte atë ditë në sallën e parlamentit, së bashku me një pjesë të qeverisë së tij.
Vizita fundvitit 2020 e Osmanit në Tiranë mund të konsiderohet si një nga vizitat më të tensionuara ndonjëherë që një shef/e shteti e ka zhvilluar atje.
Fjalimi i Osmanit ishte paraqitur si një paketë akuzash e kritikash ndaj të gjitha qëndrimeve të Ramës në lidhje me Kosovën. Osmani e pati Ramën në tehun e akuzave të saj, pasi kryeministri shqiptar angazhohej për “Ballkanin e Hapur” – nismën që atëherë quhej “Mini-Schengen” – dhe e ftonte Kosovën që t’i bashkohej asaj.
“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet, jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës”, shprehej Osmani mes tjerash atëherë.
Prej atëherë, Osmani i ishte bashkuar qartazi dhe publikisht Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën.
Në takimet rajonale e globale, Osmani e Rama nuk takoheshin. Ata vitin e kaluar ishin në Nju Jork të SHBA-së për takime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por sërish s’e kishin takuar njëri-tjetrin. Shefja e shtetit të Kosovës nuk deshi as të përgjigjej kur në një intervistë për Zërin e Amerikës ishte pyetur se a ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë.
“Mosmarrëveshjet (me Edi Ramën) janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale”, pati thënë ajo.
Osmani besonte se Rama po i reduktonte krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Ajo thoshte se secili shqiptar “e ka obligim kombëtar” që të flasë qartë për krimet serbe.
Ajo vijoi të qëndronte e vetme në betejën kundër Ramës, por jo edhe për shumë gjatë. Për shembull, Rama dhe Osmani në fund të qershorin darkuan së bashku në praninë e disa zyrtarëve të tjerë në Ulqin dhe dukeshin në disponim goxha të mirë./Botapress.info/