Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të hënën qëndroi për vizitë zyrtare në Ukrainë. Vendi i saj ka marrë kritika për refuzimin për t’i dhënë armë Ukrainës.
Në një fotografi të publikuar në Twitter, kryediplomatja gjermane shihet me jelek anti-plumb dhe me helmetë ushtarake në dorë, afër një ushtari ukrainas, shkruan Gazeta Express.
Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, kryediplomatja gjermane dhe homologu i saj ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se askush nuk do të mund të futë përçarje mes dy vendeve. Ministrja gjermane theksoi se vendi i saj është i gatshëm që të paguajë çmim të lartë ekonomik për t’u ballafaquar me Moskën.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën. Askush nuk do të ketë sukses për të futur përçarje mes nesh. I dashur Dmytro, ju e dini se mund të llogaritni në Gjermaninë”, tha ministrja gjermane.
Vizita e ministres gjermane në Kiev është e dyta në tri javët e fundit dhe pjesë e një vargu vizitash nga zyrtarë të lartë të shteteve të NATO-s me qëllim të shfaqjes së solidaritetit me Ukrainën, pasi Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa afër kufirit ukrainas./Botapress.info/