Pas ngjarjes tragjike që ndodhi mëngjesin e së dielës ku humbën jetën dhjetë persona, institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate. Kështu deklaroi zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, e cila tha se autoritetet kroate kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
Kelmendi deklaroi për KosovaPress se kanë pranuar informata zyrtare se në autobus kanë qenë 69 persona, ku 67 prej tyre kanë qenë udhëtarë ndërsa dy drejtues të mjetit.
Sipas saj, në mesin e këtyre personave 15 prej tyre janë të mitur.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës u shpreh se të hospitalizuarit në spitalin e Slavonski Brodit i ka vizituar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, për t’u siguruar që ata e kanë trajtimin dhe kujdesin e duhur shëndetësor.
E pyetur rreth identitetit të viktimave, Kelmendi tha se aktualisht nuk mund të flitet për këtë gjë pasi po priten të dhënat zyrtare.
“Ministria e Punëve të Brendshme kroate ka ngritur një shtab emergjent dhe janë duke u kujdesur dhe duke bërë përpjekje për të identifikuar të gjithë personat që kanë qenë në këtë linjë në mënyrë që të dalim me informata që janë të konfirmuar, për t’i kursyer familjarët që tashmë janë në ankth dhe të shqetësuar nga dezinformatat e mundshme dhe për të dhënë informata të sakta”, vijoi Kelmendi.
Edhe për shkaqet e këtij aksidenti, Kelmendi nuk ka pranuar të komentojë duke thënë se do të presin autoritetet kroate që të thonë fjalën e tyre pas përmbylljes së hetimeve.
Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000./Botapress/