Fondi sovran është në prag të themelimit pas më shumë se dy vjet qeverisjeje nga kryeministri Albin Kurti. Kështu të paktën paralajmëron vet shefi i Qeverisë, i cili krijimin e këtij fondi e sheh si bazë të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
“Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran, të udhëhequr nga Besnik Pula, vitin e kaluar. Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, është shprehur ai.
Kurti më tej ka përmendur disa nga ndryshimet në ndërmarrjet publike, duke thënë se janë kthyer nga ndërmarrje me humbje në ato me profit.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti thotë se projektligji për themelimin e Fondit Sovran paraqet hap konkret drejt vendosjes të ekonomisë së komanduar, i cili sistem ka dështuar.
Hoti vlerëson se vendimet e dy viteve të kaluara janë tipike të sistemeve komuniste.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se Projektligji për Fondin Sovran është antikushtetues.
Njëherësh ajo thotë se mendësia qeverisëse e VV-së po i bën dëm vendit.
“Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues”, shkruan tutje ajo.
Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.
Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill ka qenë në konsultim publik. Pas konsultimeve, është paraparë që të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Por, deri më tani nuk ka ndonjë informatë se çfarë ka ndodhur me të.
Mirena: Kurti sulmoi drejtësinë për ta mbrojtur të akuzuarin për korrupsion
Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.
Në projektligj thuhet se Fondi Sovran do të menaxhojë me pasurinë e rëndësishme të Kosovës duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.
Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Por, ky ligj nuk zbatohet ndaj ndërmarrjeve publike në pronësi të drejtpërdrejtë të Republikës së Kosovës ose komunave.
Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:
- Korporata Energjetike e Kosovës
- Telekomi i Kosovës
- Posta e Kosovës
- Kombinati metalurgjik Trepça
- Trainkos-i
- Infrakos-i
Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.
Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.
Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.
Fondi Sovran, sipas projektligjit, po ashtu ka në funksion edhe themelimin e ndërmarrjeve të reja si dhe mund të investojë në tregje financiare dhe tregje të kapitalit brenda dhe jashtë vendit.