Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qysh pas krizës në veri, kishte bërë thirrje të shumta në drejtim të kryeministrit Albin Kurti për të dëgjuar këshillat amerikane dhe evropiane për de-eskalim, duke alarmuar se ajo që e pret Kosovën do të jetë shumë e rëndë.
Ja sa është paga mesatare bruto në Kosovë, Instituti GAP publikon të dhënat
Rama kishte anuluar edhe një mbledhje të përbashkët të dy Qeverive për shkak të acarimit të raporteve të Kosovës me aleatët, ndërkohë që Kurti i ishte kundërpërgjigjur duke mos e pritur në takim gjatë vizitës në Kosovë.
Thirrjen për të mos ikur nga dialogu dhe marrëveshja themelore, Rama e ka përsëritur edhe në një intervistë të fundit nga salla e Kombeve të Bashkuara, ku u përplas me Rusinë edhe për Kosovën. Kryeministri shqiptar gjithashtu ka qenë kritik ndaj gjuhës që Kurti ka përdorur ndaj emisarit sllovak, Miroslav Lajcak.
“Rruga e zgjedhur çon në një kurs përplasjeje me miqtë, aleatët dhe partnerët, në vend se të çojë tek realizimi i qëllimit të përbashkët. Kjo është e trishtueshme. Por kjo kam besimin që është e përkohshme”, ka thënë Rama në “Real Story”.
Thirrje për të dëgjuar aleatët ka bërë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili të premten gjatë qëndrimit në Nju Jork ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Begaj ka thënë se në OKB, Shqipëria ka shprehur mbështetjen e fuqishme për dialogun Kosovë-Serbi, që lehtësohet nga BE dhe që përkrahet nga SHBA-ja, si aleat strategjik i shqiptarëve.
Ai ka thënë se s’ka nevojë për vetëizolim, por për miq dhe mbështetje. Prandaj sipas kreut të shtetit shqiptar, Kosova duhet që patjetër të dëgjohet secili rekomandim i dhënë nga aleatët.
“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik”, ka thënë Begaj.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Bajram Begaj është takuar edhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Raporti i Kosovës me Bashkimin Evropian është përkeqësuar thellësisht pas takimit të 14 shtatorit, ku kryeministri Kurti pasi ka dalë nga takimi ka akuzuar emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, se po akomodon kërkesat e Serbisë.
Pak ditë më vonë në një konferencë për media, Kurti ka akuzuar Lajcakun se edhe ka gënjyer për punën e propozimeve të bëra më 14 shtator në Bruksel dhe ka thënë se emisari sllovak është koordinuar me Serbinë kundër Kosovës. Gjithë këtë nervozë të Kurtit e ka shkaktuar kërkesa që Kosova të nis e para me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas këtyre akuzave të Kurtit, BE-ja ka lëshuar një komunikatë në emër të 27 shteteve anëtare ku kanë shprehur përkrahjen e fuqishme për Miroslav Lajcak. Njejtë ka vepruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke thënë se njohin punën e palodhur të Lajcak për dialogun.