Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur të dielën mbrëma në Gjakovë. Dy vëllezër kanë mbetur të vdekur pasi u qëlluan me armë zjarri në fshatin Madanaj të Gjakovës. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin. Çka dihet?
Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Madanaj të Gjakovë, ku dy persona janë vrarë nga një i dyshuar tjetër.
Sipas informacionave të para viktimat kanë qenë vëllezër.
Deri te vrasja raportohet se ka ardhë për shkak të disa mosmarrëveshjeve për pronë.
I dyshuari është arrestuar. Ai është kapur në fshatin Zllakuqan të Klinës dhe sipas Lumni Graishta, drejtor i Policisë së Kosovës në Gjakovë, ai është gjetur i plagosur.
“Ai është jashtë rrezikut për jetë. Por intervistimi ka qenë i pamundur.” – ka thënë Graishta.
Ndërkohë, Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta fillimisht konfirmoi dhe dha detaje më shumë për rastin.
Ai ka thënë se njëri nga viktimat ka vdekur në vend të ngjarjes teksa tjetër është pranuar pa shenja jetë në Spitalin e Gjakovës.
“Bëhet fjalë për një vrasje të dyfishte në Gjakovë në fshatin Madanaj, për atë që ne kemi informacion viktimat janë dy vëllezër. Po supozojmë që kemi një të dyshuar të indentifikum, mirëpo ende nuk është arrestuar. Jemi duke e hetuar rastin. Ajo çfarë mundem me konfimu është se njëri nga viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital gjë të cilën e ka konfirmuar mjeku kujdestar.” – ka bërë të ditur ai.
Nga ana tjetër për Gazetën Nacionale ka dhënë detaje edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ku ka njoftuar se dy viktimat janë qëlluar me armë zjarri.
Elezaj ka bërë të ditur se dy viktimat kanë qenë meshkuj të moshës madhore.
“Mund t’ju konfirmoj se sonte rreth orës 20:20 kemi pranuar informatë se në fshatin Madanaj-Gjakovë dy persona dyshohet të jenë qëlluar me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave meshkuj të moshës madhore. Në këto momente janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin.” – ka njoftuar Elezaj
Gjithashtu, burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se motivi i këtij konflikti që përfundoi tragjikisht dyshohet se lidhet me pronën.