Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se afati i aplikimit do të përfundojë më 9 dhjetor 2022.
“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, shkruhet në njoftim.
“Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/”, vazhdon tutje njoftimi.
KQZ ka njoftuar se periudha e votimit përmes postë fillon më 17 dhjetor dhe përfundon më 23 dhjetor 2022./Botapress.info/