KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj

KQZ ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59.

Pas caktimit dhe shpalljes të datës 7 qershor 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, KQZ mori disa vendime në kuadër të fillimit të përgatitjes për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili përfshin, ndër të tjera: deklarimin e partive politike për pjesëmarrje/mospjesëmarrje në zgjedhje; deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve; aplikimin për certifikimin e subjekteve politike; dorëzimin e listave të kandidatëve dhe verifikimin e tyre; periudhën e fushatës zgjedhore; caktimin e qendrave të votimit, përfshirë përfaqësitë diplomatike; regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës; periudhën e votimit përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike; certifikimin e listës së votuesve; akreditimin e vëzhguesve dhe mediave; si dhe emërimin e anëtarëve të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillave të vendvotimeve.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ:

Deklarimi i partive politike për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve bëhet nga 1 maj deri më 7 maj 2026.

Aplikimi për certifikim të subjekteve politike (përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) zhvillohet nga 2 maj deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë bëhet nga 2 maj deri më 12 maj 2026.

KQZ vendos për certifikimin e subjekteve politike deri më 10 maj 2026, ndërsa për kandidatët deri më 15 maj 2026.

Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

Sa i përket votuesve dhe organizimit teknik:

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026.

Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri 19:00.

Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 maj deri më 18 maj 2026.

Po ashtu, KQZ ka paraparë afate për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, akreditimin e vëzhguesve dhe emërimin e komisioneve zgjedhore komunale dhe këshillave të vendvotimeve gjatë muajit maj.

Dita e zgjedhjeve është caktuar më 7 qershor 2026, me orar votimi nga 07:00 deri 19:00.

Të tjera

Aktuale

Kurti në shkrimin për 1 maj merret me opozitën

Kreu në detyrë i Qeverisë së

Aktuale

Kaq do të kushtojnë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar