Katër vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfituar nga një program i Bashkimit Evropian në vlerë të 7.5 miliardë eurosh. Po me Kosovën, çfarë ndodhi? Kosova nuk ka përfituar nga ky program, derisa pas reagimeve të shumta në lidhje me këtë zhvillim, ka zëra që thonë se vendi ynë është përjashtuar nga i njëjti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dje dha lajmin se ky shtet dhe tri të tjera kanë përfituar nga programi i Evropës Digjitale, i financuar në vlerë të 7.5 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian.
“Sot me firmosjen e marrëveshjes në Bruksel, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë pjesë e Europës Digjitale ku qytetarët, bizneset, institucionet publike do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e ri financues të BE-së prej gati 7,5 miliard Euro.” – ka shkruar ai.
Çfarë u tha zyrtarisht?
Zyrtarisht, Komisioni Evropian ka konfirmuar se pas nënshkrimeve dhe përfundimit të proceseve përkatëse, marrëveshjet do të hynë në fuqi.
Biznese, institucione publike e organizata të tjera, do të jenë në gjendje të aplikojnë në thirrjet e programit, i cili kap shifrën e miliarda eurosh për periudhën 2021-2027, shkruan Nacionale.
“Bizneset, administratat publike dhe organizatat e tjera të pranueshme në këto vende fqinje do të jenë në gjendje të aksesojnë thirrjet e Programit të Evropës Digjitale, i cili ka një buxhet të përgjithshëm prej 7.5 miliardë euro në periudhën 2021-2027.” – thuhet në komunikatën zyrtare.
Tutje, bëhet e ditur si vijon: “Në veçanti, pjesëmarrësit nga këto katër vende do të jenë në gjendje të marrin pjesë në projekte që vendosin teknologji digjitale në të gjithë BE-në në fusha specifike si inteligjenca artificiale dhe aftësi të avancuara digjitale. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të krijojnë Qendra të Inovacionit Digjital në rajonet e tyre”.
Marrëveshja, siç u bë e ditur tutje, është nënshkruar nga drejtori e DG Connect, Roberto Viola dhe ministra përkatës të katër shteteve.
Po ashtu, pjesa tjetër e dialogut në lidhje me këtë projekt mes KE-së dhe shteteve përfituese nga Ballkani Perëndimor, do të mbahet në vjeshtë të vitit 2024.
A u përjashtua Kosova?
Nuk dihet çfarë ndodhi me Kosovën në këtë rast. Zyrtarët e shtetit ende s’e kanë thënë as edhe një fjalë në lidhje me krejt këtë situatë.
Por analisti Dardan Sejdiu, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se Kosova u përjashtua nga ky program.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor përfitojnë një shumë prej 7.5 miliardë eurosh nga BE, megjithatë Kosova është përjashtuar nga ky program financiar i Bashkimit Evropian. Ky program është pjesë e programit të Evropës Digjitale që i mundëson qytetarët, bizneset dhe institucionet publike të vendeve të Ballkanit Perendimor të aplikojnë për financim! Edhe një herë, Kosova është përjashtuar nga ky program!” – shkroi ai.
Për fund, vlen të theksohet se njëri prej zyrtarëve që hapi dialogun me Ballkanin Perëndimor për Projektin Digjital, ishte pikërisht Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman.
“Kënaqësi që hapëm së bashku Dialogun e Dytë Rregullator me Ballkanin Perëndimor. Me Planin tonë të ri të Rritjes që përforcon politikën e zgjerimit të BE-së, ky dialog përbën një mjet tjetër për të mbështetur partnerët tanë me transformimin digjital në rrugën e tyre drejt” – shkroi ai.
Vlen të theksohet, se Koopman, ishte pikërisht zyrtari që konfirmoi se masat ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, mund të konfirmohen gjatë kësaj jave.
“Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë…” – kishte thënë ai.