Komuna e Podujevës iu jep tender kushërinjve të Ministrit Damka të arrestuar për mashtrim

Në fillim të vitit u arrestuan për mashtrim. Por, kjo nuk i ka penguar familjarët e ministrit të Qeverisë Kurti, Fikrim Damka që të marrin tenderë edhe brenda vet dikastereve të kësaj Qeveria. Një tender të fundit po ia bën gati komuna e Podujevës, që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi – nga e njëjta parti me Kryeministrin Albin Kurti. Një kompani tjetër në garë ka deponuar një ankesë dhe thotë se u diskriminua.

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në maj të këtij viti arrestuan Sefçet dhe Anil Damkën, familjarët e Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal. Dyshimet ishin se ata kishin përfituar mbi 100 mijë euro kontrata publike nga shteti me dokumente të falsifikuara.

LEXO EDHE KETE

Vjen një lajm i keq për Kadri Veselin nga Specialja

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Si rrallë herë, Gjykata Themelore në Prishtinë do të merrte vendim brenda ditës që ti lironte Sefçet dhe Anil Damkën.

Pas lirimit ata kanë vazhduar afarizmin me kompaninë “MEB” L.L.C., me seli në Prizren.

Së fundmi atyre po iu përgatitet një kontratë edhe nga komuna e Podujevës, e drejtuar nga kryetari Shpëjtim Bulliqi, nga Vetëvendosje, partia e Kryeministrit Albin Kurti.

Kontrata ende nuk është nënshkruar, por komuna e Podujevës më 10 tetor i ka njoftuar kompanitë e tjera se kontratën ia ka dhënë kompanisë “MEB” L.L.C. nga Prizreni me çmimin – 7,488.00  euro.

Deri tash kundër këtij vendimi të komunës së Podujevës është ankuar një kompani tjetër.

“Autoriteti Kontraktues me rastin e vlerësimit dhe krahasimit të ofertave nuk na ka trajtuar në mënyrë të barabartë dhe përkundrazi ka vepruar në mënyrë diskriminuese plotësisht në kundërshtim me dispozitën e Nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesën e kësaj kompanie.

Kompania që u ankua kërkoi qasje në dokumente. Edhe pse kërkesa ishte që konkurrentët në këtë tender të sillnin listën e kontratave të realizuara në tre vitet e fundit, e kompania e Damkajave nuk i solli, Komuna e Podujevës doli me vendim se megjithatë kjo kërkesë nuk ka qenë obligative.

“Autoriteti Kontraktues ka përdorur standard të dyfisht, pasi që në njërën anë “E KA CEKUR” që Lista e Kontratave të plotësohet nga Aneksi 6 “OBLIGATIV”, kurse në anën tjetër tek vendimi mbi refuzimin e kërkesës për Rishqyrtim të datës 19.10.2022 thotë se “NUK KA QENË OBLIGATIVE”, vazhdon ankesa.

Qasja në dokumente i la të kuptojnë se firma e Sefçet dhe Anil Damkës nuk e kishte përmbushur këtë kërkesë.

“Në ofertën e operatorit ekonomik “MEB” L.L.C gjendet një “Listë e kontratave të realizuara” mirëpo e njëjta nuk është konform kërkesave të Autoritetit Kontraktues të kërkuar në Njoftimin për kontratë dhe Dosjen e tenderit”, thuhet në ankesë.

Ani pse “MEB” L.L.C  del që e ka të zbrazët këtë listë të kontratave, komuna e Podujevës megjithatë ka njoftuar se e ka rekomanduar po këtë kompani për tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të komunës”.

Kontratat e familjarëve të Ministrit Damakaj në Ministrinë e Muratit

Gazeta Insajderi kishte raportuar pak ditë pas arrestimit e lirimit të shpejt të Sefçet dhe Anil Damkës  se kjo kompani kishte fituar kontratë edhe nga Ministria e Financave.

MEB L.L.C, ndërmarrja me bazë në Prizren, gjatë fazës së ofertimit në dikasterin që drejtohet nga Hekuran Murati kishte ofruar referencat e kompanive të tyre private, derisa kusht për fitimin e kontratës ka qenë ofrimi i referencave të shërbimeve të pastrimit në institucione shtetërore.

Referencat e ofruara nga ofertuesi kishin vlera të cekura, të cilat nuk kishin të kryera transaksione ndërmjet vete që të dëshmonin se janë realizuar me të vërtetë, zbulon Gazeta Insajderi.

Se i kanë paraqitur këto dokumente kur kanë ofertuar për tenderin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektitit të Ministrisë së Financave në rrugën “Tring Smajli”, e ka pranuar për Gazetën Insajderi edhe Sefçet Damka, pronari dhe i autorizuari i kompanisë MEB L.L.C..

Por, këto fakte nuk e kishin penguar zyrën e Prokurimit të Ministrisë Financave që këtë kontratë t’ia jepte familjes Damka, në prillin e vitit të kaluar.

Madje, pak kohë pas nënshkrimit të këtij tenderi, Murati ishte njoftuar mbi të gjitha dyshimet që rëndonin mbi operatorin ekonomik.

Ministri këto informata i kishte pranuar më 2 qershor, në e-mailin e tij zyrtar, komunikim ky të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, dhe pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë, nuk e kishte marrë asnjë masë ndaj kompanisë që ishte fituese e prokurimit publik, këtë rast ndaj MEB L.L.C..

Gazeta Insajderi e ka pyetur Muratin, pse e ka lejuar një kompani me dokumente fiktive të merrte tender nga ministria që ai drejton, dhe përse nuk ka marrë masa ndaj të njëjtës pas informatave që kishte pranuar, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

I pari i Financave përveç që vitin e kaluar ka lejuar që kompania e familjes Damka të fitojë kontratë publike me dokumente të rrejshme, dhe më pas nuk e ka parandaluar atë – edhe këtë vit ia ka besuar kompanisë së njëjtë, tenderin po për të njëjtën çështje.

MEB L.L.C. e kishte fituar edhe një tender tjetër më 4 maj 2022, po nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objektit në shfrytëzim të dikasterit të Hekuran Muratit, i cili gjendet në rrugën “Tring Smajli”, në Prishtinë. Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e mbi 12 mijë eurove, zbulon Gazeta.

Insajderi e kishte pyetur personalisht ministrin pse kjo kompani është përzgjedhur sërish nga Prokurimi i Financave, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Për çka u dyshuan dy biznesmenët Damka?

Sefçet dhe Anil Damka përmes bizneseve të tyre kishin përfituar tenderë nga institucionet shtetërore pa i plotësuar kriteret.

Ata akuzoheshin për “falsifikim të dokumenteve” dhe “keqpërdorimi e mashtrimi në prokurimin publik”, dyshime mbi të cilat Policia i arrestoi javën që shkoi.

Se janë akuzuar dhe arrestuar për këto çështje e ka thënë për Gazetën Insajderi edhe Damka, pronari e MEB L.L.C., por nuk ka pranuar se kanë bërë falsifikime.

“Akuzat po bëhen për referenca që e kemi fituar një tender në vlerë 11.500 euro për 12 muaj tek ministria e Financave, Prishtinë. Ai tender u fitua me krejt detajet pa asnjë falsifikim ose shmangie të ndonjë dokumenti tjetër, edhe pse në njoftim të Prokurorisë thuhet se s’ka deklaruar në ATK referencat ose kontratat. Por ky është një njoftim qesharak sepse as referencat dhe as kontratat nuk deklarohen në ATK, veç faturat e shitjes dhe blerjes”, kishte thënë ai.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte urdhëruar lirimin e Sefçet dhe Anil Damkës, familjarëve të Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal, vetëm një ditë pas arrestimit të tyre – që ndodhi më 12 maj.

Themelorja e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim të Damkajve, dhe ka detyruar Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit që “të lirohen menjëherë më datë 13.05.2022” të pandehurit Sefçet dhe Anil Damka, shkruante në vendimin e Gjykatës

Lirimi i tyre sipas Themelores së Prishtinës ka ndodh në mungesë të provave../Botapress.info/

ngjashme