Organizata D4D ka bërë një raport për gjuhën e përdorur në rrjetet sociale kundër grave. Një prej rasteve të përfshira në këtë raport disa faqesh është edhe komenti që anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, ka bërë ndaj juristes për të drejtën e medias, Flutura Kusarit.
Gjinovci në profilin e tij në ‘facebook’ ka komentuar modelin e flokëve të Kusarit, dhe sipas D4D sulmet ndaj pamjes fizike ndodhin në momentin kur ka mungesë të kundërargumenteve për kualifikimet profesionale.
D4D ka treguar se postimin e Rron Gjinovcit janë bërë 647 pëlqime, 341 komente dhe 190 shpërndarje.
“Gratë në arenën publike, qoftë në politikë, gazetari apo profesione të tjera, shpesh gjykohen në bazë të pamjes së jashtme, modelit të flokëve, veshjes, peshës e kështu me radhë, ndërsa aftësitë, kualifikimet dhe kapacitetet e tyre profesionale shpesh neglizhohen. Sulmet ndaj pamjes fizike mund të ndodhin kur nuk ka kundërargumente për kualifikimet e tyre profesionale. I tillë është edhe komenti ndaj Flutura Kusarit, një juriste e cila u kritikua në lidhje me flokët e saj teksa avokonte për një nga çështjet mediatike”, thuhet në raportin e D4D.
Në këtë raport janë të përfshira edhe raste të tjera, si ajo e gjuhës së përdorur nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ndaj gazetares Besarta Hoti, komentet që kanë shkuar në adresë të Zana Avdiut pas komentit për Granit Xhakën dhe etiketimi që i është bërë gazetares Dafina Demaku si “agjente e BIA-s”.