Njeriu i dytë në qeverinë Kurti II, Besnik Bislimi, ka shpërndarë në profilin e tij privat në Facebook një postim ku kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, quhej “pro-serb”. Të njëjtin postim, Bislimi e ka fshirë por ka mjaftuar që postimi nga profili privat i tij të bëhet ‘screenshot’ dhe të dalë në publik. Zëvendëskryeministri Bislimi ka dy llogari në Facebook një llogari zyrtare dhe një private.
Zëvendësi i kryeministri Kurti, ka refuzuar të sqarohet dhe s’është përgjigjur në mesazhet dhe telefonatat e Gazetës Express në lidhje me këtë çështje.
Lexo Edhe:
Skandaloze: Besnik Bislimi e cilëson si “pro-serb” kryeministrin Edi Rama
Përgjegjësinë për këtë postim ka vendosur ta marrë mbi supe pas disa orëve kabineti i kryenegociatorit kosovar.
Këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, tha se postimi është shpërndarë gabimisht duke e shfajësuar shefin e tij edhe pse profili në Facebook i Bislimit ku e ka shpërndarë postimin është profil privat dhe jo zyrtar.
“Postimi në profilin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është shpërndarë gabimisht. Gjatë shfletimit të postimeve në rrjetin social “Facebook”, është klikuar paqëllim butoni i shpërndarjes. Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim”, ka shkruar ai.
Profili privat i zëvendëskryeministrit Bislimi ku fillimisht e ka shpërndarë postimin e më pastaj e ka fshirë