Japonia do të shpenzojë rreth dy trilionë jenë ose rreth 18 miliardë dollarë për pagesa të drejtpërdrejta për familjet me fëmijë nën moshën 18-vjeçare si pjesë e një plani për nxitje ekonomike, i hartuar me qëllim të luftimit të ndikimit të pandemisë, raportoi të premten gazeta japoneze, “Yomiuri”.
Sipas planit, familjet do të përfitojnë nga 100.000 jenë ose rreth 880 dollarë për fëmijë pavarësisht të ardhurave përafërsisht në pranverën e vitit të ardhshëm, raportoi gazeta pa i përmendur burimet.
Gazeta tha se qeveria do t’i shfrytëzojë rezervat shtetërore për financimin e planit të pagesave, duke sugjeruar se plani nuk do të shkaktojë lëshim të madh të borxhit qeveritar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Botapress.
Administrata e kryeministrit të ri, Fumio Kishida, gjithashtu po e shqyrton mundësinë që të ofrojë pagesa të drejtpërdrejta për familjet me të ardhura të ulëta dhe për punëtorët e përkohshëm, raportoi gazeta japoneze, duke shtuar se partia në pushtet po punon që t’i përcaktojë hollësitë e planit.
Kishida ka premtuar se do të hartojë një pako të madhe stimuluese këtë muaj dhe qeveria po synon që ta sigurojë miratimin për të në kuvend deri në fund të vitit.
Ideja e ofrimit të të hollave për familjet me fëmijë ishte zotim i fushatës i Komeito-s, partner i koalicionit me Partinë Demokratike Liberale të Kryeministrit Kishida.